Matoshi me teori, e lidh “islamizimin masiv” të shqiptarëve me “ndikimin rus”
Halil Matoshi, gazetar veteran dhe analist i përhershëm në “Kanal 10”, ka shkruar një status, në të cilin ka interpretuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Kosovë. Në teoritizimin e tij, Matoshi ka gjetur tri fusha në të cilën, sipas tij, është shtrirë ndikimi rus.
Fusha e parë lidhet me “komandantët e UÇK-së”. Matoshi ka shkruar për “fabrikim e të vërtetës”, duke theksuar se tash është përqafuar ideja se Kosova është shkatërruar në 20 vjetët e fundit.
“Fabrikimi i “të vërtetes” tashmë të përqafueme edhe nga politika e naltë se Kosova ka pasë 20-vjet shkatrrim, se komandantët e UÇK-së papërjashtimisht janë batakçi dhe se shteti kosovar nuk po funksionon, tue rrënue kështu themelin e legjitimitetit të luftës për Kosovën, përfshi edhe inkriminimin e NATO-s” – shkroi Matoshi.
Fusha e dytë, sipas Matoshit, ku shtrihet ndikimi rus është “ri-islamizimi masiv i mërgatës kosovare dhe disa qyteteve kosovare”. Në këtë kontekst, ai ka përmendur nacionalizmin panarab (një ideologji kryesisht sekulare e majtë) me selefizmin universalist (një ideologji radikale fetare, që kryesisht pompohet nga Arabia Saudie) dhe neosmanizmin (një qasje politike turke).
“Ri-islamizimi masiv i mërgatës kosovare dhe disa qyteteve kosovare (posaçërisht përfshimja e moshave të reja në aktivitete fetare!?); financa të dyshimta (mercenarizëm) që nën petkun e islamit promovojnë selafismin universalist por edhe nacionalizëm panarab (sentimenti për Gaza-n) aty-këtu ringjallin edhe botëkuptime neoosmaniste” – shkroi Matoshi.
Matoshi ka përmendur edhe fushën e tretë, e cila lidhet me marrëdhëniet në mes Kosovës dhe ShBA-së.
“Minimi i marrdhanieve (miqësia e përhershme???) e Kosovës me Shtetet e Bashkueme të Amerikës, (që hapun po mbështetet nga nivele të nalta politike) nën prizmin e sovranizimit.
Historiani amerikan Jason Steinheur, i cili së fundmi mori pjesë në një konferencë mbi këtë temë në Kosovë, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se bëhet fjalë për një plan rus që ka për qëllim të minojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian dhe ta largojë rajonin nga rreshtimi me aleancën transatlantike.” – ka shkruar ai.