"Mashqit e Ramushit" ende të fortë, pesë deputetët e AAK-së posedojnë pesë milionë euro pasuri
Edhe pse në opozitë, ‘mashqit’ e Haradinajt duket se nuk janë lodhur aq shumë sa i përket pasurisë. Të katër deputetët e kësaj partie qëndrojnë më mirë se sa tri gratë e tyre.
AAK-ja e Ramush Haradinajt edhe pse e vogël me numra në Kuvend, goxha mirë qëndron me pasuri.
Pasuria totale e këtyre deputetëve kalon vlerën e pesë milionë eurove. Por, nëse heqim tri gratë deputete të AAK-së, pasuria totale e pesë deputetëve burra ju bie pak nën shifrën 5 milionëshe [4.9 milionë].
Bazuar në këto shifra, ‘mashqit’ e Ramush Haradinajt nuk janë edhe aq të lodhur. Në fakt i bie se mesatarisht secili prej tyre është milioner.
Ndërsa tri gratë deputete i kanë 354 mijë euro pasuri bashkë. Mesatarisht, secila prej tyre i ka rreth 118 mijë euro. Më e varfra ndër to mbetet Time Kadrijaj me vetëm 45 mijë euro pasuri dhe 340 mijë euro borxh.
‘Mashqit’ milionerë të AAK-së:
Pal Lekaj | 2 milionë e 400 mijë euro
Ramush Haradinaj | 1 milion euro
Bekë Berisha | 900 mijë euro
Besnik Tahiri | 355 mijë euro
Gratë e varfra të AAK-së:
Albana Bytyçi | 208 mijë euro
Albena Reshitaj | 100 mijë euro
Time Kadrijaj | 45 mijë euro - 340 mijë euro borxh
Pasuria e tyre nuk ka ndikuar që AAK-ja t’ia bëjë argatin qeverisë. Përkundrazi, AAK-ja brenda Kuvendit vlerësohet si opozita më e ashpër kundër Kurtit, aq sa kryeministri u detyrua të nxjerrë të fshehta nga bashkëpunimi i tyre i parë gjatë kohës së VLAN-it.
“Bashkëpunimi kuadër VLAN-it kolapsoi sepse deputeti Haradinaj dhe ish-kryetari i LDK-së po bënin gara se kush po shkonte përpara me PDK-në edhe u prish VLAN-i. E mbaj mend mirë takimin me Haradinajn kur i kam thënë ‘Pse po shkon me PDK-në, pse po na e rrënon VLAN-in’. S’e harroj kurrë përgjigjen e tij. Përgjigja e tij ka qenë kjo ‘mu kanë lodhë mashqit’,” – thotë Kurti.
Haradinaj jep një tjetër version të ndërprerjes së bashkëpunimit në mes tyre.
“Po, m’u patën lodhur meshkujt në atë kohë, pasi s’kam pasur meshkuj me vdekë për pushtet. Ky mashtruesi ka dashur me i shti ushtarët e Ramushit, të UÇK-së të Dukagjinit me luftu me policinë tonë në ndërtesë të Qeverisë, por i kam thënë ‘Jo’ dhe i kemi nda rrugët prej asaj dite,” – ka thënë Haradinaj.
Për dallim nga PDK-ja dhe LDK-ja që janë rehatuar në opozitë, Ramush Haradinaj po del të jetë problematik për Kurtin.
Çështja e ‘mashqve’ nuk është hera e parë kur Haradinaj dhe Kurti kanë shkuar fytafyt me njëri-tjetrin. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Kurti ia ka përmendur Haradinajt edhe privatizimin e tokave.
“Keni blerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit 198.9 hektarë tokë bujqësore plantacionin e vishnjave dhe lajthive me çmim total prej 70 mijë euro 3.52 centë për ari. Kjo është turp”, tha Kurti.
“Me pare të juaja doni me ble arin me 3 euro e gjysmë turp, kjo është turp është zhvatje, koprrac me pare private, dorëshlirë me pare të shtetit”, vazhdoi Kurti.
Pas kësaj deklarate të Kurtit, kryesuesja e Kuvendit, deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci nuk lejoi të vazhdojë diskutimi, duke thënë se “Me kaq e përfundojmë pikën rreth pyetjeve parlamentare”.
Të paktën ish-kryeministri Haradinaj po ka guximin ta sfidojë kryeministrin Kurti, përdëllim nga Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së.
Këtë më së miri e vërteton protesta e PSD-së – si opozitë e vërtetë – kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
I pari i PSD-së, Dardan Molliqaj, kishte thënë se LDK-ja dhe PDK-ja janë pajtuar me PSD-në, ndërsa AAK-ja e kishte mbështetur organizimin e protestës.
Më i pasuri ndër deputetët e AAK-së, Pal Lekaj, edhe kishte marr pjesë në këtë protestë.
“E kemi takuar kryetarin e LDK-së, z.Abdixhiku, nënkryetaren e PDK-së zonjën Çitaku, dhe kam komunikuar me kryetarin e AAK’së, z.Haradinaj. Ky i fundit ka deklaruar se do ta mbështesë protestën, ndërsa LDK ka thënë që pajtohet me kërkesat tona sa i përket propozimit të ZRRE’së, njëjtë ka deklaruar edhe PDK. Siç e dimë nga qëndrimet publike tashmë PDK ka treguar që vetë nuk merr pjesë, por që ka arsye të protestohet. Ne ende iu bëjmë thirrje”, kishte deklaruar Molliqaj.