“Masat mbesin nëse s’ka shtensionim, Asociacioni të themelohet”: Këshilli i BE-së pritet të miratojë më 12 dhjetor konkluzionet për Kosovën
Radio Evropa e Lirë raporton se ka parë draft-konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian të cilat pritet të miratohen më 12 dhjetor, e ku në raport me Kosovën pjesa më e madhe e konkluzioneve kanë të bëjnë me situatën e siguisë në vend, përkatësisht në pjesën veriore të vendit.
“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe nga Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.
Mes tjerash, aty do të dënohet edhe sulmi ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gaztearëve që ngjau më 29 maj në Zveçan në mesin e tensioneve të instalimit të kryetarëve të rinj shqiptarë në veri.
“Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur, dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to, pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në draftin e konkluzioneve.
Në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës, në konkluzionet e Këshillit shprehet se ato mund të hiqen paralel me hapat e Kosovës për shtensionim të situatës në veri siç edhe është kërkuar që nga deklarata e 3 qershorit.
“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që t'i heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekstin që ka parë REL-i.
Këshilli pritet të shprehë keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes bazë për normalizimin e raporteve dhe të aneksit, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.
“Kërkojmë nga Kosova që, në tërësi dhe pa vonesa tjera, t’i zbatojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe të Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, duke kuptuar se punë e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekst.