Martin Berishaj mund të shkarkohet nesër
E D I T O R I A L
Vetëvendosje haptas po përzihet në Zgjedhjet në Slloveni. Prirjen për t'u përzirë në zgjedhje që nuk janë të Kosovës e ka dëshmuar ashiqare edhe në të kaluarën, me rastin më të rëndë gjatë vitit të kaluar kur kandiduan në zgjedhjet e Shqipërisë me tre kandidatë. Dhe, pikërisht kjo tendencë për t'u përzirë në zgjedhje të huaja mund të jetë arsyeja pse nuk është shkarkuar deri sot Martin Berishaj dhe pse mund e duhet të shkarkohet bash nesër.
Sot po mbahen zgjedhjet parlamentare në vendin mik të Kosovës, Slloveni. Kryeministri aktual Janez Jansha po sfidohet nga një varg kandidatësh, prej të cilëve edhe Robert Golob, i Partisë së Lirisë. Dy të lartpërmendurit thuhet se kanë gjasat më të mëdha për të dalë të parët në këto zgjedhje dhe që të dy janë në qendër të skandalit të ambasadorit të Kosovës, Martin Berishajt.
Skandali financiar në Slloveni shpërtheu pikërisht gjatë fushatës elektorale, dhe përfshinte akuzën se kandidati Golob kishte marrë para kesh nga Martin Berishaj. Vlera totale ishte 600 mijë euro. Kompania e Berishajt ishte hapur vetëm 10 ditë pasi në xhirollogarinë e saj kishin nisur të deponoheshin shuma parash prej 5 mijë deri në 50 mijë euro nga GEN-i i Beogradit.
Berisha ka mohuar akuzat por pa dhënë asnjë përgjigje në pyetjet e shumta që kanë nxjerrë krye pas këtij skandali.
Në anën tjetër, përplasjet politike në Slloveni – ashtu si në Kosovë – kanë qenë të shumta, me të dy kandidatët që janë përpjekur të distancohen nga Berishaj. Ambasadori ynë mësohet të jetë mik i kryeministrit të Sllovenisë, gjë që e bën edhe më të çuditshme aferën në fjalë.
Por, çudia e çudive deri tash ishte mbrojtja që i bënë Berishajt krerët e institucioneve kosovare. Përveç që nuk u shkarkua, fjalës së tij të transmetuar përmes një postimi në Facebook i besuan edhe kryeministri Albin Kurti por edhe presidentja Vjosa Osmani.
Për më tepër, aktivistë të shumtë të Vetëvendosjes në një formë u përfshinë edhe në zgjedhjet sllovene duke i dhënë mbështetje pikërisht politikanit dhe biznesmenit 55 vjeçar që dyshohet të ketë marrë edhe para nga miku i Kurtit dhe Osmanit.
Golob kishte bashkëthemeluar pikërisht kompaninë e tregtimit të energjisë, GEN-I, në të cilën kishte punuar deri në vitin 2021. Por, në janarin e vitit 2022 kishte dhënë dorëheqje.
Në anën tjetër, Janez Jansha është një politikan 64 vjeçar me një karrierë politike prej viteve 1990. Ai kishte qenë ministër i Mbrojtjes në kohën kur Sllovenia luftoi për Pavarësi nga Jugosllavia dhe kishte qenë kryeministër edhe në dy raste të tjera. Sidoqoftë, vlen të theksohet që ai çon përpara politika konservatore.
Në lidhje me vendin tonë, duhet përmendur Non-paperat e Ballkanit – dy dokumente që bënin thirrje për “zgjidhje paqësore” në Bosnje Hercegovinë, bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, Serbi të Madhe dhe Kroaci të Madhe. Këto dokumente i ishin atribuuar Janshas. Ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë.
Ndoshta për këtë arsye, Vetëvendosja lidhi figurën e kryeministrit slloven me “ekzistencën” e idesë së shkëmbimit të territoreve.
SH K A R K I M I
Shkarkimi i ambasadorit Martin Berishaj nga kjo pozitë është kërkuar madje edhe nga mbështetësit më të mëdhenj të Vetëvendosjes, përfshirë analistët Jusuf Thaçi, Shkëlzen Gashi, Xhevdet Pozhari e të tjerë.
Presidentja Osmani në një konferencë shtypi një ditë pasi skandali u bë publik, i doli në mbrojtje Berishajt duke thënë që besonte në pafajësinë e tij. Sidoqoftë, një ditë më vonë i kërkoi raportim në lidhje me skandalin në fjalë.
Në anën tjetër, mbrojtja që po i bëhet kandidatit Robert Golob nga aktivistët e Vetëvendosjes lë të kuptohet se kjo parti është duke i përcjellë me vëmendje të shtuar zgjedhjet e atjeshme.
Shihni për shembull këtë komentim nga zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka:
“Dje, të gjitha subjektet e mëdha në Slloveni kanë mbajtur konferencë për media me ku deklaruan se do të bashkëpunojnë së bashku dhe asnjëri nuk do të bëjë koalicion me Janez Jansen, që ata e sulmojnë si autocrat, madje në debatin e fundit mbrëmë Luka Mesec nga partia 'Levica' theksoi që Jansha krahas Kim Yong e ka futur Slloveninë në linjë me Korenë e Veriut që nuk i uroi për kohë të gjatë fitoren Biden-it në ShBA. Në Slloveni tashmë ka një konsensus për keqorientimin e Janshës me liderët autokrat.”
Apo, edhe këtë spekulim nga znj. Fejza, deputete e Kuvendit:
“Nesër janë zgjedhjet në Slloveni. Disa nga mediat dhe e gjithë opozita janë duke u angazhuar që ta përmbysin epërsinë e kundër kandidatit të Janshës, liberalit Golob – duke shpërndarë dezinformata të prezantuara si “Skandale”” – shkroi ajo.
Por, shkarkimi megjithatë duket i paevitueshëm – sepse skandali nuk mund të jetë i papërfillshëm - dhe ai mund të ndodh jo më larg se nesër. Berishaj mund të mos jetë shkarkuar deri tash pikërisht për shkak të dëshirës që kandidati Robert Golob të dëmtohej sa më pak që të ishte e mundshme, apo edhe me një dëshirë më fisnike që të mos ndërhyhej fare në zgjedhjet sllovene.

Mirëpo, nesër do të jemi një ditë pas zgjedhjeve dhe Berishaj nuk do të mbrohet më nga fati i zgjedhjeve në Slloveni. Shkarkimi i tij nuk do të rëndojë situatën e asnjërit kandidat.
E vetmja parti politike në Kosovë që duket se ka interes të madh për zgjedhjet në Slloveni është Lëvizja Vetëvendosje. Mediat dhe partitë opozitare, para se të shpërthente skandali i Martin Berishajt, nuk kishin pasur kurrfarë interesi apo reagimi publik për to, dhe edhe më tej nuk i kanë dhënë mbështetje asnjërit kandidat. Në fakt, Vetëvendosje ka një histori të përfshirjes në zgjedhje tjera, që nuk janë të Kosovës, pasi një vit më parë, saktë nesër një vit (më 25 prill) kishte garuar me tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet e Republikës së Shqipërisë por nuk kishte fituar asnjë ulëse në Kuvendin e këtij shteti.
Ajo që duhet të shpresojmë është që të paktën Berishaj të shkarkohet në mëngjesin e nesërm në mënyrë që dëmet për shërbimin diplomatik dhe imazhin e vendit tonë të jenë sa më minimale!