Marrëveshje politike, figurë konsensuale, mosrefuzim të Osmanit: A shkon Abdixhiku te Kurti me këto tri qëndrime? - NACIONALE

Marrëveshje politike, figurë konsensuale, mosrefuzim të Osmanit: A shkon Abdixhiku te Kurti me këto tri qëndrime?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Fundi i prillit duhet ta gjejë vendin me president të zgjedhur ose vetvetiu shpërndarhet legjislatura dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme “jo më larg se 45 ditë.”

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, sot pret kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun për të vijuar “bisedimet” për çështje të presidentit.

Nga LDK, çka ka dalur deri sot, është një: kërkesë për marëveshje politike me Vetëvendosjen, që është lexuar kryesisht për bashkëqeverisje e ndarje pushtetit: dy, gjetja e një personaliteti përbashkues për president; dhe tre, mosrefuzimi i Vjosa Osmanit si kandidate e pranueshme për këtë parti.

Dy qëndrimet e para i përsëriti vetë Abdixhiku me të dalë Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e cila ia anuloi “pa efekt juridik” dekretin Vjosa Osmanit për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës, dhe i përsëriti “figurën konsensuale” ose “marrëveshjen politike.”

Kurti, gjer më sot, s’ka dhënë asnjë tregues, që synon marrëveshje politike ose gjetjen e një figure konsensuale, ky ende i mirëmban kandidaturat partiake për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun.

Ditë më parë në konferencë për shtyp, Albin Kurti, u pyet nga gazetarët se çfarë po bën tash më ndryshe që nga Aktgjykimi i GjK-së, ku i qëndroi stilit të vjetër të pangutisë për presidentin, por shtoi se “e marrim me seriozitet të lartë.”

Tha se njëherë synon “konsultimet të brendshme” në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes, dhe vetëm pastaj të ftojë liderët opozitarë.

“Padyshim që do të bëjë ftesa për takime, për kryetarët e partive opozitare, në mënyrë që të shohim rrugët para që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve, dhe po e ritheksojë që nuk besoj është të mirë jemi veç 81,

duhet të jemi 85 a 86 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin, dhe për këtë do të zhvilloj takime, por çfarë oferta e kërkesa do të ketë në ato takime ,duhet të presi mtë ndodhin ato takime,” pati thënë ai.

LDK, para dhe pas Aktgjykimit të GjK-së

Lumir Abdixhiku, qysh në janar të këtij viti pati dalë i pari për t’u prononcuar për media se partia që drejton ai, nuk mbështet kurrëfarë kandidature partiake. Presidenti, argumentonte ai, duhet të jetë “përfaqësues i unitetit të popullit” siç parashihet edhe në Kushtetutë të Kosovës.

Mëpastaj ai pati bërë një kthesë të dukshme në “mospërjashtim” të Vjosa Osmanit si figurë që do të gëzonte mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se “nuk kemi qëndrim refuzues.”

Por, thoshte ai, “Nuk është kërkuar vota për Vjosa Osmanin, prandaj s’mund të flas.”

Me të dalë Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Abdixhiku i qëndroi dy opsioneve të kahershme: marrëveshje politike ose kandidat konsensual.

“Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.

Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës,” pati shkruar ai.

Më tej, ai shkuante se “LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.”

Lajme të ngjashme