Maqedoninë e ‘shpëtoi’ Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së
Mbi 100 pacientë të lënduar nga tragjedia e zjarrit në Koçan po mjekohen në shtetet e Bashkimit Evropian.
Shteti fqinj, Maqedonia e Veriut, nuk ka qendër për trajtimin e djegieve.
Në mungesë të kapaciteteve të veta, Maqedonia e Veriut e ka aktivizuar atë që quhet si Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili me këtë rast mundësoi bartjen e të lënduarve jashtë vendit.
“Evakuimet vazhdojmë, dhe ne falenderojmë të gjitha vendet që e mbështesin Maqedoninë e Veriut, qoftë përmes Mekanizimit të Mbrojtjes Civile të BE-së apo përmes marrëveshjeve të ndërsjella. Ky është solidariteti i vërtetë i BE-së”, është thënë në një afishim në faqen e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare të BE-së.
Ndryshe, sot në Koçan dhe qytete të tjera të Maqedonisë janë varrosur dhjetra të rinj që humbën jetën me rastin e një tragjedie zjarri në një klub nate.
Aty humbën jetën pesëdhjetë e nëntë të rinj dhe morën lëndime 170 të tjerë kur zjarri shpërtheu gjatë një koncerti në klubin ‘Pulse’ që vepronte pa leje të autoriteteve.
Nga vendet e rajonit vetëm Kosova del që nuk është pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Shqipëria është bërë pjesë e këtij sistemi të menaxhimit të rreziqeve të fatkeqësive në nëntor të vitit 2022.
Edhe para anëtarësimit, Shqipëria kishte përfituar ndihma e mbështetje nga ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së në kohën e tërmetit të vitit 2019 si dhe goditjes nga zjarret verore gjatë viteve të fundit.
Në nëntor të 2021-s, Komisioni Evropian e themeloi Mekanizmin për Mbrojtje Civile të BE-së.
Ky mekanizëm synon që të fuqizojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes civile mes vendeve të BE-së dhe 10 shteteve pjesëmarrëse.
Cilido vend i goditur nga ndonjë fatkeqësi, në Evropë ose jashtë saj, mund të kërkojë ndihmë emergjente përmes këtij Mekanizmi.
Nga vendet fqinje në këtë Mekanizëm janë edhe Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Turqia).