Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e SEPA-s që lehtëson pagesat nga diaspora
Vendet me diaspora të ndjeshme mund të kenë përfitime të shumëfishta duke u bërë pjesë e Hapësirës së Njësuar për Pagesa me Euro (SEPA). Pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia e Veriut është vendi i radhës që është bërë pjesë e këtij sistemi financiar. Kosova, e cila ka bërë një paraaplikim më dhjetor të vitit të kaluar, mbetet vendi i vetëm jashtë kësaj hapësire duke krijuar barrë për dërgesat e mërgimtarëve.
Col Mehmeti
Maqedonia e Veriut i ka hapur rrugë vetes në integrimet evropiane duke u bërë pjesë e gjeografisë së Hapësirës së Njësuar për Pagesa me Euro (SEPA), pasi mori dritën e gjelbër nga Këshilli Evropian i Pagesave (EPC).
Lajmi është bërë i ditur nga faqja ‘WeBalkans.eu’, e cila një zhvillim të tillë e ka cilësuar si shembull praktik të ndikimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë e BE-së për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të kësaj pjese në BE.
“Si rrjedhojë e vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave në Maqedoninë e Veriut do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e skemave të ndryshme të SEPA-s që drejtohen nga EPC-ja”, thuhet në njoftim.
“Ky hap i hap rrugën Maqedonisë së Veriut për të lehtësuar bartjet financiare në euro dhe të pakësojë koston dhe kohën e këtyre transaksioneve mes qytetarëve të saj, bizneseve dhe anëtarëve të tjerë të SEPA-s. Prandaj, kjo i kontribuon rritjes së qëndrueshme ekonomike”.
“Besim ndërkombëtar në sektorin financiar të vendit”
Edhe Ministria për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e ka mirëpritur këtë vendim të Këshillit Evropian të Pagesave.
Sikundër është thënë në kumtesën për medie, anëtarësimi në SEPA nënkupton transaksione më të lehta, më të shpejta e më të lira për qytetarët dhe kompanitë. Remitancat nga BE-ja do të vijnë më shpejt dhe me çmime më të ulëta, kurse bizneset do të kenë pagesa më të thjeshta në Evropë.
“Anëtarësimi do ta fuqizojë edhe besimin ndërkombëtar në fushën financiare të Maqedonisë së Veriut dhe do të thellojë marrëdhëniet tregtare me Hapësirën Ekonomike Evropiane”, thuhet në njoftim.
Siç njofton kjo Ministri, institucionet financiare të Maqedonisë së Veriut do të fillojnë t’i bashkohen SEPA-s në prill të këtij viti, kurse gatishmëria operacionale për këto shërbime është caktuar për datën 5 tetor 2025.
“Me këtë arritje domethënëse, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e tregut të njësuar të pagesave evropiane, që përfaqëson një tjetër hap konkret të Qeverisë drejt integrimit ekonomik evropian dhe përmirësimit të shërbimeve financiare për qytetarë dhe kompani. Bashkëngjitja në SEPA është një përfitim konkret i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në kontekstin e integrimit të përshpejtuar”, përfundon kumtesa e Ministrisë për Çështje Evropiane.
Fehlinger-Jahn: Pse Kosova dhe Ukraina rrinë jashtë?
Ndaj këtij lajmi ka reaguar edhe ekonomisti austriak, Gunther Fehlinger-Jahn, nëpërmjet një afishimi në platformën sociale ‘X’.
Ai, me këtë rast, ka kërkuar që Hapësira e Njësuar Evropiane e Pagesave (SEPA) të zgjerohet edhe më tej.
“Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia janë brenda saj. Pse jashtë saj janë Bosnia, Kosova dhe Ukraina? E kuptoj që Serbia është një proksi i Rusisë, po Kosova e Ukraina?”, ka shkruar Fehlinger-Jahn.
Në të vërtetë, përfshirja e Malit të Zi dhe Shqipërisë për t’u përfshirë në skemat e pagesës së SEPA-s qe miratuar në nëntor të vitit të kaluar, duke i bërë plot 38 vende pjesë të saj.
Siç qe njoftuar, Banka Qendrore e Kosovës ka dorëzuar paraplikimin për anëtarësim në SEPA në dhjetor të vitit të kaluar.
Çfarë është SEPA?
Këshilli Evropian i Pagesave është një asociacion i pavarur, ndërkombëtar dhe jofitimprurës i përbërë prej 83 anëtarësh që janë ofrues të shërbimit të pagesave.
I krijuar më 2002 nga industria bankare evropiane, ky Këshill ka për qëllim zhvillimin e instrumenteve për pagesa elektronike në euro. Sot, afër 4 mijë banka dhe ofrues shërbimesh të pagesave marrin pjesë në skemat e SEPA-s.
Kurse, SEPA (Single Euro Payments Area) është një nismë gjithëevropiane, që filloi më 2008, për të thjeshtëzuar, përshpejtuar e harmonizuar pagesat elektronike, duke pakësuar shpenzimet për aq sa ishte e mundur.
Hapësira e SEPA-s përfshin 28 shtete anëtare të BE-së tok me katër anëtare të Asociacionit të Tregtisë së Lirë Evropiane (Islanda, Lihejnshtajni, Norvegjia dhe Zvicra).
Pjesë e saj janë edhe Monako, Andorra, San Marino dhe Qytet-Shteti i Vatikanit.