Manipulimi i votave: Vetëm pas dështimit të madh, KQZ-së i kujtohet ‘kontrollimi i numërimit’ - NACIONALE

Manipulimi i votave: Vetëm pas dështimit të madh, KQZ-së i kujtohet ‘kontrollimi i numërimit’

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Vetëm pasi që besimi në zgjedhje u dëmtua rëndë me manipulimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në disa Qendra Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është kujtuar për të krijuar mekanizmat e kontrollit të procesit të numërimit.

Ky institucion ka miratuar për detyrë të parë të punës në vazhdim të vitit ndryshimin dhe plotësimin e disa rregulloreve zgjedhore, përmes së cilave do t’i hapet rruga aplikimit të mekanizmit të kontrollit të rezultatit të zgjedhjeve.

Një mekanizëm i tillë ka për qëllim të verifikojë apo rinumërojë deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.

Gazeta Nacionale ka siguruar të gjitha rekomandimet dhe konkluzionet e miratuara në mbledhjen e fundit të KQZ-së pas punëtorisë për mësimet e nxëna në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të vitit të kaluar.

KQZ-ja ka vendosur që t’i hyjë ndryshimeve të rregulloreve zgjedhore për shkak se në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, pasaktësitë e larta në numërimin e votave për kandidatë në QKN detyruan KQZ-në të rinumërojë të gjitha 2,557 vendvotimet.

Në dokumentin e siguruar nga Nacionale thuhet se rinumërimi konfirmoi devijime drastike të rezultateve për kandidatë duke dëmtuar rëndë besimin e publikut dhe subjekteve politike në integritetin e procesit.

Rekomandimi në fjalë i KQZ-së është vetëm njëri nga 41 rekomandimet dhe konkluzionet e miratuara nga KQZ në mbledhjen e të mërkurës.

Sipas njoftimit zyrtar, fokus i veçantë i rekomandimeve është nevoja për ndërhyrje ligjore në Ligji nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe në Ligji për Financimin e Subjekteve Politike.

Disa nga rekomandimet e KQZ-së, të cilat gjatë muajit prill do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës në raportin vjetor, kanë të bëjnë me rishikimin e sistemit zgjedhor me qëllim reduktimin dhe harmonizimin e numrit të votave preferenciale ndërmjet zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale dhe zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga 45 në 60 ditë.

Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, nxori në pah jo vetëm manipulimin e procesit të numërimit në nivelin lokal në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit, por edhe mungesën e mbikëqyrjes efektive të numërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në mbledhjen e shumta të KQZ-së, anëtarët e këtij institucioni shumë herë kanë qenë të fokusuar në përplasje politike dhe çështje të mëdha formale, të cilat shpeshherë ishin jashtë kompetencave ligjore, sesa në kontrollin konkret të procesit të numërimit të votave në terren.

Gjatë kohës kur ishin shfaqur problemet me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, Gazeta Nacionale kishte raportuar se asnjë masë parandaluese nuk është marrë nga KQZ për të parandaluar keqpërdorimin e rezultateve në QKN dhe rrjedhimisht asnjë vendvotim nuk është verifikuar gjatë kohës sa po ndodhte numërimi i votave të kandidatëve.

Çuditërisht, rregulla zgjedhore e KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, ka paraparë verifikimin e numërimit të fletëvotimeve për një mënyrë numërimi që nuk aplikohet në Kosovë, që është numërimi i fletëvotimeve përmes pajisjeve dhe softuerit.

Lajme të ngjashme