Anëtarët e KQZ-së të zënë me tema “të mëdha” politike, “harruan” të kontrollojnë numërimin e votave në QKN
Rinumërimi i votave deri më tani nga rreth 300 vendvotime në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) ka nxjerrë në pah dallime të konsiderueshme mes rezultateve të regjistruara fillimisht në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe atyre që po rezultojnë pas verifikimit.
Sipas faqes së KQZ-së, në disa raste janë evidentuar diferenca të mëdha në numrin e votave të fituara nga kandidatët e subjekteve të ndryshme politike.
Kjo ka ngritur dyshime serioze për manipulim të procesit të numërimit në nivel komunal.
Këto mospërputhje kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e administrimit zgjedhor dhe kanë shtuar shqetësimin publik për integritetin e zgjedhjeve.
Diferencat e theksuara pas rinumërimit në QNR kanë rihapur debatin për mungesën e mbikëqyrjes efektive nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në mbledhjen e shumta të KQZ-së, anëtaret e këtij institucioni shumë herë kanë qenë të fokusuar në përplasje politike dhe çështje të mëdha formale, të cilat shpeshherë ishin jashtë kompetencave ligjore, sesa në kontrollin konkret të procesit të numërimit të votave në terren.
Konfirmimi i këtyre dallavereve me vota në procesin e rinumërimit të pjesshëm, ka shtuar zërat për nevojën e identifikimit dhe ndëshkimit të përgjegjësve për manipulimin e mundshëm të rezultatit zgjedhor.
Sipas ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është institucioni i pavarur kushtetues, që është përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.
Por, askush nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përfaqësojnë subjektet politike parlamentare, nuk është shfaqur nga dita e mbledhjes së fundit.
Nacionale ka analizuar rregullën zgjedhore të KQZ-së për funksionimin e Qendrave Komunale të Numërimit.
Në këtë dokument, KQZ-ja askund nuk ka paraparë mundësinë e verifikimit të punës që bëhet në këto qendra.
Një nga detyrat kryesore të këtyre qendrave është numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe asamblistët lokalë.

KQZ ka paraparë që në QKN të bëhet verifikimi i rezultateve nga vendvotimet, por jo edhe verifikimin e punës në QKN.
Sipas rregullës, KQZ ka paraparë verifikimin e numërimit të fletëvotimeve për një mënyrë numërimi që nuk aplikohet në Kosovë, që është numërimi i fletëvotimeve përmes pajisjeve dhe softuerit.

Nacionale ka mësuar se asnjë masë parandaluese nuk është marrë nga KQZ për të parandaluar keqpërdorimin e rezultateve në Qendra Komunale të Numërimit dhe rrjedhimisht asnjë vendvotim nuk është verifikuar gjatë kohës sa po ndodhte numërimi i votave të kandidatëve.
Anëtarët e KQZ-së kanë vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve vetëm pasi që siç është thënë në njoftimin zyrtar të KQZ-së, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e video-incizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.
Nëse ky veprim, i paparaparë në rregulloren e KQZ-së, nuk do të ndodhte, me shumë gjasë nuk do të kuptohej asnjëherë për ndërhyrjet në evidentimin e rezultatit zgjedhor.
Kjo do të mund të verifikohej, vetëm në rast se PZAP do të kërkonte rinumërim të këtyre vendvotimeve.
Evidentimi i “dallavereve” me vota në procesin e rinumërimit të pjesshëm të votave për kandidatët kanë nxitur reagime të shumta në vend.
Ndryshimi i votave për shumë kandidatë nga ky proces ka bërë që të shtohen zërat që për një rinumërim të plotë të votave të 28 dhjetorit. Ndërsa, për ata që kanë prekur votat e qytetarëve është kërkuar përgjegjësi.