Mandati i emisarit të BE-së në dialog: Dy vjet punë, zero rezultate
Këshilli i Bashkimit Evropian, para dy viteve, besimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, ia kishte dhënë një ish-ministri të Punëve të Jashtme, të një shteti që nuk e njeh Kosovën, Sllovakisë.
Kjo kishte nxitur reagime dhe mosbesim te pala kosovare, por BE-ja kishte siguruar se emisari i tyre do të jetë neutral dhe nuk do të ndikohet nga qëndrimi i Sllovakisë.
Miroslav Lajçak, pasi mori pozitën si emisar, parim kryesor kishte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, në mandatin e tij veç normalizim nuk kishte. Nën ndërmjetësimin e tij, deri në këtë muaj janë zhvilluar vetëm dy takime të nivelit të lartë në Bruksel dhe disa takime të negociatorëve.
Njohësit e rrethanave politike kanë deklaruar për gazetën Nacionale se emisari i BE-së është treguar i dobët në këtë proces.
Për punën e Miroslav Lajçakut, gazeta Nacionale ka pyetur edhe eprorët e tij në Bruksel, por ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se puna e tij është barabartë me 0. Madje, ai Lajçakun e konsideron si figurë të djegur qëllimisht pasi që BE-ja nuk ka pasur alternativë tjetër.
“Nëse duhet me vlerësuar nga 0 deri në 1 punën e Lajcakut, unë kisha thanë 0, në kuptimin se s’ka pasur lëvizje fare në aspektin substancial. Proceset veç çka janë komplikuar. Lajçak pavarësisht përvojës së tij diplomatike si ish-ministër i punëve të jashtme dhe si ish-politikan në Sllovaki, nuk ka arritur sukses sepse këndvështrimi i tij është i njëjtë me atë të BE-së, por fatura i shkon vetë BE-së, më së shumti Francës dhe Gjermanisë. Sepse po vërehet që në këto dy vende nuk ka një vendim politik se si t’i qasen dialogut”, tha Arifi.
Por, fjalë krejtësisht tjera ka këshilltari i ish-kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahiri.
Gazmir Raci ka deklaruar për gazetën Nacionale se Lajçakut duhet t’i vazhdohet mandati prapë, pasi që ai është një figurë e rëndësishme.
“Emisari i BE-së, Lajçak, është person shumë i rëndësishëm, për faktin që ai vjen nga Sllovakia, shteti që nuk e ka njohur Kosovën. E po ashtu është diplomat i moçëm në diplomacinë ndërkombëtare, ka lidhje të fuqishme me lidershpin e shteteve anëtarë të BE-së. Është shumë e rëndësishme që atij me iu vazhdu edhe një mandat”, tha Raci.
Ai ka treguar se mungesa e rezultateve në këtë proces nuk është përgjegjësi e emisarit evropian, por e palëve në proces.
“Ai nuk ka pasur mundësi me i shty palët drejt marrëveshjes, sepse palët janë ato që arrijnë marrëveshje. BE-ja nuk ka imponuar zgjidhje, zgjidhja duhet të vijë nga palët që po negociojnë në Bruksel. Roli i tij është veç lehtësues, për me i ofru palët me i ndihmu me gjetë zgjidhje. Por, palët janë përgjegjëse për me arritë te marrëveshja finale”, shtoi ish-këshilltari, Gazmir Raci.
Sa takime janë zhvilluar mes Kurtit e Vuçiqit që nga marrja e mandatit të Lajçakut?
Për herë të parë më 15 qershor të vitit 2021, u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut. Takimi përfundoi pa ndonjë rezultat, duke mos u pajtuar për asgjë.
Madje Vuçiq e kishte cilësuar si një nga takimet më të vështira që ka pasur prej fillimit të dialogut.
Takimi i dytë, por edhe i fundit politik deri tani në Bruksel, ishte menjëherë një muaj pas këtij të parit, më 19 korrik të 2021-tës. As nga ky takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje.
Lajçak pas përfundimit të këtij takimi nuk kishte folur për ndonjë rezultat, përveç se e kishte cilësuar si “takim të vështirë, pasi që të dyja palët kishin pasur qëndrime të kundërta”.
Por, edhe një takim tjetër joformal u zhvillua javën e kaluar në Gjermani nga ndërmjetësuesi për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Ky i fundit, as në këtë takim nuk kishte arritur ndonjë rezultat.

Nga BE, në një përgjigje për Nacionalen nuk dhanë detaje për ndonjë rezultat të arritur në këtë darkë joformale.
“Darka ofroi një mundësi për të dy liderët për të shkëmbyer pikëpamjet mbi Dialogun në një mjedis joformal”, ka deklaruar Zyra e BE-së për gazetën.
Ndërsa, takime të kryenegociatorëve kishte më shumë se sa politike, në krye me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
I fundit ishte më 21 prill të këtij viti, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje. Madje, këtu nuk u pajtuan as për një marrëveshje të përhershme për targat, e cila ishte arsyeja kryesore e takimit. Takimi i radhës për këtë cëshjte do të mbahet këtë të premte.
Kush është Miroslav Lajçak?
Miroslav Lajçak është një politikan sllovak, i cili më parë kishte shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara gjatë vitit 2017-2018.
Ai kishte qenë edhe Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën gjatë vitit 2007-2008, ku vepronte edhe si përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar atje.
Lajçak në emër të Bashkimit Evropian mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi më 2006.
Ndërsa në vitin 2020 nga Këshilli i Bashkimit Evropian u emërua si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, për dialogun Prishtinë- Beograd.