Malisheva i del në ndihmë Skënderajt me pako ushqimore dhe higjienike
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka njoftuar se pas vërshimeve kanë dërguar pako ushqimore dhe higjienike në Skenderaj.
Kastrati ka njoftuar se këto pako janë grumbulluar nga qytetarët dhe bizneset në Malishevë.
“Në përkrahje të familjeve të prekura nga vërshimet në Skenderaj. Situata e rënduar si pasojë e vërshimeve që ditë më parë përfshiu disa qytete në Kosovë, në masë më të madhe Skenderajn, ka prekur tej mase edhe shpirtin e mirë të qytetarëve dhe bizneseve të Komunës së Malishevës, që në koordinim me Komunën tonë kanë nisur një aksion të grumbullimit të disa pakove ushqimore dhe higjienike, që sot i kemi dërguar në Skenderaj.” – ka shkruar ai.
I pari i Malishevës ka uruar që në të ardhmen as Skenderaj dhe askush të mos jetë i rrezikuar nga fatkeqësitë e tilla natyrore.
“Jam tejet i lumtur me ekipen organizative dhe në përgjithësi me qytetarët dhe bizneset tona, që u bënë pjesë e këtij aksioni për të mbështetur familjet në fjalë, dhe urojmë që jo vetëm Skenderaj, por askush të mos jetë në të ardhmen i rrezikuar nga fatkeqësi të tilla natyrore.” – ka përfunduar Kastrati.
