Malisheva e Nismës i harxhon 50 mijë euro për këshilla, thotë që ka pak punëtorë - NACIONALE

Malisheva e Nismës i harxhon 50 mijë euro për këshilla, thotë që ka pak punëtorë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbi 50 mijë euro do të shpenzojë nga buxheti i saj, komuna e Malishevës për shërbime konsulente në shtatë drejtori. Sipas komunës këto shpallje janë bërë për shkak të numrit të vogël të zyrtarëve në drejtoritë e caktuara. Por, çfarë efekti ka një gjë e tillë?

Në muajin maj të këti viti, komuna e Malishevës në krye me Ekrem Kastratin nga Nisma Socialdemokrate ka shpallur konkurs për “Shërbime Konsulente” në shtatë drejtori dhe në regjistrimin e pasurisë publike të kësaj komune.

Më saktësisht nevojë për konsulentë kanë drejtoria e Financave, Arsimit, Urbanizmit, Ekonomisë, Kulturës, Administratës, Bujqësi. Si dhe një konsulent për regjistrimin e pasurisë publike të komunës së Malishevës.

50 mijë e 400 euro

Këto shërbime të parapara në formë këshillash, sipas shpalljes në kontratë, janë për 1 vit.

E komuna e Malishevës, në një përgjigjë për gazetën Nacionalen, kanë thënë se arsyeja e kësaj shpallje është për shkak të numrit të vogël të zyrtarëve në këto drejtori.

Komuna e Malishevës, për shkak të numrit të vogël të zyrtarëve në drejtoritë e cekura në pyetjet tuaja dhe për arsye të domosdoshmerisë për angazhimin e konsulentëve (individëve profesional apo ekspertëve në fushat e caktuara), ka marrë vendim për angazhim të tyre në këto drejtori”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Këta ekspertë, do të ndihmojnë në kryerjen e shërbimeve profesionale.

“Pra, kemi nevojë për ekspertë dhe zyrtarë tjerë shtesë në drejtoritë apo sektorët e caktuar dhe të njëjtit do të ndihmojnë në kryerjen e punëve që kemi si Komunë dhe ofrimin e shërbimeve sa më profesionale, duke mos lënë anash edhe kontributin e tyre në hartimin e projekteve me interes për institucionin e Komunës dhe qytetarëve të saj,” - thonë nga komuna.

Drejtoria e Administratës me shumën më të madhe

Drejtoria e cila prin me shumën më të madhe për konsulencë, është drejtoria e Administratës, e cila udhëhiqet nga Fatmir Ademaj. Konsulenca i ka kushtuar 9600 euro kësaj drejtorie.

Ndërsa drejtoritë e tjera, janë me shuma më të vogla se e kësaj, me gati 10 mijë.

Drejtoria e financave ka 5304 euro për konsulencë, e Arsimit 6000 euro, Ekonomisë 5304 euro, Kulturës 8784 euro, Bujqësisë 5304 euro.

Si dhe 5304 euro janë ndarë për konsulentë në regjistrimin e pasurisë publike.

Vlera totale e këtyre shërbimeve, gjithsej komunës i ka kushtuar 50 mijë e 400 euro.

Kjo komunë, ditë më parë ka miratuar buxhetin për vitin 2023, buxhet ky i cili është mbi 18 milion euro.

Komuna e Malishevës, e cila me vite udhëhiqet nga Nisma Socialdemokrate, edhe gjatë zgjedhjeve të tetorit të kaluar, e fitoi këtë komunë të vetme në tërë Kosovën.

Lajme të ngjashme