Macroni e rrezikon qeverinë e vet për ta ngritur moshën e pensionimit në Francë - NACIONALE

Macroni e rrezikon qeverinë e vet për ta ngritur moshën e pensionimit në Francë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e urdhëroi kryeministren Elisabeth Borne që të shfrytëzonte një fuqi të posaçme kushtetuese të enjten për t’i shmangur votat e deputetëve për ta miratuar reformën e sistemit pensional, me të cilën mosha e daljes në pension ngrihet nga 62 në 64. Ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi e protesta në mbarë vendin.

Deputetët e opozitës filluan që ta këndonin himnin kombëtar para se kryeministrja Borne të arrinte në sallë. Ajo foli me forcë nën brohoritjet e tyre, duke qenë e vetëdijshme se veprimi i njëanshëm i Macronit do të nxisë mocione të menjëhershme të mosbesimit për qeverinë e tij, raporton agjencia “Associated Press”.

Pakënaqësia e deputetëve të opozitës e pasqyroi zemërimin e qytetarëve dhe të sindikatave të punëtorëve. Mijëra njerëz u grumbulluan në “Place de la Concorde” përballë Asamblesë Kombëtare dhe ndezën një zjarr. Në mbrëmje, policia i ndoqi protestuesit për ta pastruar hapësirën. Grupe të vogla të protestuesve shkuan nëpër rrugë të tjera dhe ndezën zjarre. Policia tha se të paktën 120 persona janë ndaluar.

Skena të ngjashme pati në shumë qytete të tjera, nga Rennes e Nantes në Perëndim e deri në Lyon e Marseille në jug, ku dritaret e dyqaneve dhe të bankave u thyen, sipas medieve franceze.

Sindikatat që kanë organizuar protesta e greva nga janari, duke e lënë Parisin plot bërllok, njoftuan për protesta të reja në ditët e ardhshme. “Kjo reformë pensionesh është brutale, e padrejtë, e pajustifikuar për botën e punëtorëve”- thanë sindikatat.

Macroni e ka bërë prioritet të mandatit të dytë reformën pensionale, duke thënë se ajo nevojitet për ta mbajtur sistemin pensional larg deficitit, pasi Franca, në mënyrë të ngjashme si shumë shtete më të pasura, ballafaqohet me rënie të numrit të lindjeve dhe jetëgjatësi më të gjatë të popullsisë.

Lajme të ngjashme