Macron, Scholz dhe Meloni i shkruajnë letër Kurtit në prag të takimit të 27 shkurtit: Tash është urgjente
Ashtu si presidenti serb Vuçiq, edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pranuar një letër të përbashkët nga krerët e shteteve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë. E gjithë kjo në prag të takimit të rëndësishëm të nesërm që mbahet në Bruksel. Çka thuhet në atë letër?
Menjëherë në këtë letër përmendet takimi i 27 shkurtit. Presidenti francez Macron, kancelari gjerman Scholz dhe kryeministrja italiane Meloni shprehin mirënjohje për qëndrimin publik të Kurtit në mbrojtje të propozimit evropian (planit franko-gjerman).
“Ne i mirëpresim shumë deklarimet tuaja publike të fundit, që afirmojnë se ju jeni gati ta pranoni propozimin evropian për “marrëveshje bazë”. Ne besojmë që tash është urgjente që të vendoset një rrugë përpara me qëllimin që të përfundohet kjo marrëveshje dhe të sigurohet zbatueshmëria e saj mbi bazën e tekstit për të cilin jeni pajtuar,” – shkruhet në paragrafin e dytë të kësaj letre.
Në këtë letër përmendet në mënyrë eksplicite, fatkeqësisht, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Kërkohet që të formohet një i tillë, duke respektuar marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Treshja shton se pret që në takimin e nesërm që mbahet më 27 shkurt, pra nesër, të diskutohet pikërisht çështja e zbatueshmërisë së marrëveshjeve, dhe krijimi i Asociacionit.
“Ne llogarisim shumë në lidershipin tuaj personal që në mënyrë konstruktive të luftoni për një përfundim të shpejtë dhe zbatim të kësaj marrëveshjeje. Ne jemi të bindur se kjo është e një rëndësie jetike për të mirën e të gjithë qytetarëve tuaj, për zhvillim paqësor dhe prosperues të rajonit dhe për avancimin e perspektivës evropiane të vendit tuaj,” – shkruajnë Macron, Scholz dhe Meloni.
Data e letrës në fjalë është 24 shkurti i këtij viti, por ajo është dërguar për media nga Zyra e Kryeministrit pikërisht sot më 26 shkurt.
Kujtojmë se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë më herët gjatë javës për takimin në fjalë se priste zyrtarizimin e pranimit të propozimit evropian nga presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Që të dy kanë deklaruar se e pranonin planin në parim.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, kishte pasur deklarata kontradiktore në lidhje me propozimin në fjalë duke u shprehur fillimisht se ishte "bazë e mirë për negociata" por më tej duke thënë se ishte "shumë afër formatit merre ose lëre", pra që nuk linte hapësirë për negociata shtesë.
Gjatë ditës së djeshme, ndërkohë, një letër të ngjashme e kishte pranuar edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
LETRA:



