Lyudmila Makey: Çështja e njohjes së Kosovës do të jetë gjëja e parë që Ukraina duhet të bëjë pas fitores
Gazetarja e parë ukrainase që ka gjetur strehë në Kosovë pas agresionit rus, Lyudmila Makey ka thënë se gjëja e parë që Qeveria e Ukrainës do të bëjë pas përfundimit të luftës atje, do jetë njohja e Kosovës.
Makey në një intervistë për portalin e lajmeve që financohet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë “The Geopost”, është shprehur se mendon që është e padrejtë që Kosova dhe Ukraina nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
“Mendoj se është e padrejtë që Ukraina dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ne kemi histori të ngjashme, vlera të ngjashme, por kur lufta jonë të përfundojë me fitore, jam e sigurt për këtë, çështja e njohjes së Kosovës do të jetë gjëja e parë që duhet të bëjë Ukraina pas fitores.” - ka thënë Makey.
Ajo gjithashtu ka folur edhe për festën në nderim të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës të organizuar në Prishtinë, duke shprehur se nga këtu emocionet janë 10 herë më të forta, ku ka shtuar se kanë ndjerë se sa e fuqishme është mbështetja e kosovarëve.
“Dita e Pavarësisë është një datë e veçantë për çdo ukrainas dhe për ne gazetarët ukrainas që nuk kemi qenë në shtëpi gjatë luftës, por në Kosovë këto emocione janë 10 herë më të forta. Sepse e kemi ndjerë se sa e fuqishme është mbështetja e kosovarëve, që në ditën e parë ata na rrethuan me vëmendje, mbështetje, fjalë gëzimi. Ata thanë se dinë për luftën tonë, sepse edhe ata e kanë përjetuar luftën e tyre, dhe kjo në fakt është shumë e sinqertë. Prandaj, kur ishim të ftuar në një takim me kryeministrin Albin Kurti, për një mëngjes festiv, pamë që e gjithë tarraca ishte zbukuruar me flamuj ukrainas dhe erdhën edhe kolegët tanë me flamuj ukrainas, e sidomos dy djem ukrainas që sapo kishin mbërritur në Prishtinë nga Ukraina. Këta janë djemtë e kolegëve tanë gazetarë ukrainas nga Kremenchuk.” – ka thënë ajo ndër të tjera.
