Lutfi Haziri e pranon që Kurti e Abdixhiku diskutuan për marrëveshje politike, a mund të ketë koalicion?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se në ciklin e dytë të takimeve mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e presidentit është diskutuar për marrëveshje mes këtyre dy partive.
Ai, ka thënë takimi i parë ka qenë konstruktiv dhe se bisedimet do të vazhdojnë.
“z.Abdixhiku ka pas takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, në rastin e parë është biseduar për një proces konsensual e në rastin dytë po flitet për një marrëveshje LDK-LVV. Takimi i parë ka qenë në frymë konstruktive edhe në mundësi që roli jonë si LDK, si grup parlamentar me u afrua, konfirmon ftesës që Kurti e ka bë. Ftesa e njëjtë është thënë se do t’i përcillet edhe PDK-së dhe cikli i ri i takimeve do të vazhdojnë”, ka thënë Haziri në Tëvë1.
Haziri ka thënë se nëse arrihet marrëveshje, LDK e zbaton, por ai ka thënë se insistimi i Kurtit se duhet një marrëveshje me mbi 84 deputetë, tregon për mosbesim të deputetëve brenda Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Këtu është një problem i madh,mosbesim në deputet jo të LDK-së, por brenda grupit më të madh politik. A ka deputet brenda grupit të Lëvizjes Vetëvendosje që janë shpreh kundra një procesi të ndërtuar me LDK-në”, ka thënë Haziri.
Ai është shprehur se për një marrëveshje për presidentin është vonë dhe sipas tij kjo do duhej të arrihej në muajin janar.
“Nëse me pyetni mua, ne jemi vonë. Çështja e presidentit ka mundur të definohet në janar. Na po flasim përtej mandatit ku kemi një ushtrues detyre tani dhe ku ka vullnet politik është dashur të kryhet me grupe politike në janar”, ka thënë Haziri.
Edhe pas takimit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte shprehur se diskutimet kanë qenë konstruktive. Madje, theksoi se disa gjëra janë konfidenciale, ato që u biseduan brenda.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi afatin e ri për presidentin, zhvillova takimin e radhës me Albin Kurtin. Diskutuam për afatin kohor, kemi më pak se 3 javë ditë kohë për të gjetur konsensus dhe për të arritur marrëveshje. Të kemi dakordancë, konfidencialiteti mes palëve. Zgjedhjet nuk i do askush, as LDK-ja. Nuk kemi ndonjë lëvizje të re, rrethanë të re nga ky takim. Jemi transparent, takimet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Unë do të takojë edhe liderët e tjerë politik të PDK-së, e AAK-së, për të kuptuar pozicionet e tyre, e më pas me takime të tjera transparente por edhe konfidenciale, të gjejmë ndonjë zgjidhje”, tha Abdixhiku, raporton Nacionale.
Ai theksoi se po provojnë të gjejnë zgjidhje, e paralajmëroi takime të tjera.
“Çdo marrëveshje që siguron kuorumin për presidentin, është e mirëseardhur, duhet diskutime me të gjitha partitë. Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët konsensuale. Me takime. Kjo është rruga përpara. Do të ndjekim këtë rrugë, për të shmangur zgjedhjet. Njëherë duhet të merremi rreth parimeve të procesit, a duhet të kemi një situatë të gjitha pozicionet institucionale me një parti politike, e më pas nëse jo si do të duket marrëveshja. Natyrisht që kam në mendje, por nuk e kam për publikun”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-ja nuk jep mbështetje që të gjitha pozitat në shtet, të jenë për një parti.
“Po përpiqemi të bëjmë zgjidhje, do të përpiqemi të takohemi sërish. Edhe mosveprimi për institucione shkakton zgjedhje. Bëmë përpjekje të gjejmë zgjidhje, brenda përpjekeve diskutuam për natyrën, modalitetet. Nuk kemi emra konkret, nuk kemi arritur në atë fazë. Në proces janë dy emra të VV-së, dhe LDK ka qëndrim që jo të gjitha pozitat shtetërore i takojnë një partie publike”, tha ai.