Lushi: Kurti të sillet si burrështetas, Thaçit dhe të tjerëve duhet t’u ofrohet çdo ndihmë financiare
Ish-eprori i UÇK-së, Uk Luishi, i cili jeton dhe vepron në ShBA, ka komentuar largimet e avokatëve nga ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
Derisa është raportuar se këto largime po ndodhin për shkaqe financiare, ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të njëjtëve të iu ofron mbështetjen e nevojshme financiare.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti e ka mundësinë që brenda pak minutave të alokojë mjetet e domosdoshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Albin Kurti duhet të sillet si burrështetas. Presidentit Thaçi, Kryekuvendarëve Veseli dhe Krasniqi dhe Kryetarit të grupit parlamentar të VV-së Selimi duhet t’u ofrohet çdo ndihmë financiare dhe tjetër në Gjykatën Speciale. Albin Kurti e ka fuqinë ekzekutive brenda minutash të alokojë mjetet e domosdoshme për mbrojtje shtetërore të themeluesve të shtetit të Kosovës. Vonimi apo mosmiratimi i pagesave nuk do të mbajë liderët e Kosovës dhe kundërshtarët politikë të Kurtit në Hagë përgjithmonë, mirëpo do të zgjasë vuajtjet e tyre dhe humbjet për Kosovën që do të marrë verdiktin si e pafajshme”, ka shkruar Lushi.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës duhet të bëjë detyrën që i takon.
“Mos t’i kishim pasë UÇK-në dhe ata burra, që sot janë në Hagë si pengje të drejtësisë politike, krejt pasuria e Kosovës do ishte në duart e Serbisë okupatore dhe ti Albin me miliona shqiptarë ende do të ishit duke protestuar rrugëve të Kosovës. Sot, ti dhe qeveritarët tu po harxhoni miliona tonat për udhëtime, hotele dhe darka, prej Olimpiadave deri në Konventa të partive anembanë botës, prej Madridit në Çikago. Albin, bëje detyrën për çka të paguajmë e mos na lë të dalim e lypim si popujt pa shtet. Albin, sillu si shtetar dhe patriot shqiptar! Ndaj mjetet dhe burimet për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe nacional! Paratë nuk janë tuat e as të Albulena Haxhiut; janë tonat!”, ka shkruar ai.