Lushaku-Sadriu: Për katër vite të gjitha shkollat e Prishtinës do të zbatojnë mësimin tërëditor
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës njëherit kandidate për deputete, Jehona Lushaku-Sadriu, ka shpejguar programin “Rruga e Re” për arsimin në Kosovë.
Lushaku-Sadriu në Context të ATV-së ka thënë se testi PISA ka shtyer atë që të bëjë reformën dhe aplikimin e mësimit tërëditor në Prishtinë dhe ky projekt të zbatohet në krejt Kosovën.
“Ne kemi zbatuar mësimin tërëditor si përgjigje ndaj kësaj sfide dhe aplikimin e mësimit tërëditor dëshirojmë që ta zbatojmë në gjithë Kosovën. Fillimisht e kemi identifikuar si njëri prej projekteve tona madhore dhe vetëm sot jemi zotuar që nga buxheti qendror i udhëhequr nga kryeministër Lumir Abdixhiku do t’i ndaj 200 milionë euro për zbatimin e mësimit tërëditor në Komunës e Prishtinës, që bie për katër vite në të gjitha shkollat e Prishtinës mund ta zbatojnë mësimin tërëditor duke qenë të asistuara nga niveli qendor” – ka thënë ajo duke shtuar se “synojmë që t’i ndërtojmë ndërtimin e 80 çerdheve”.
Tutje, Lushaku-Sadriu ka thënë se me programin e LDK-së parashihet edhe riorganizimi i shkollave në krejt Kosovën. “Kemi paraparë po ashtu me ndryshimet demografike, të dhëna na japin një indikacion që duhet t’I ndryshojmë organizimin e shkollave, jemi duke e paraparë në krejt Kosovën me bë një riorganizim të rrjetit të shkollave sepse kemi disbalanc mes shkollave të fshatrave. Disa shkolla duhet të fuzionohen, disa mund të adaptohen në çerdhe, në qendra kulturore e të tjera. Është në të mirën e krejt fëmijeve që të rriten në klasa me 20 nxënës.” – ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka thënë se kanë paraparë edhe dixhitalizimin e shkollave.