Lushaku-Sadriu: Kurti nuk është konsistent në qëndrime për dialogun me Serbinë
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen që po ndjek në procesin e dialogut me Serbinë.
Ajo ka thënë se shefi i ekzekutivit nuk është konsistent në qëndrimet e tij.
Në një intervistë për “Telegrafi”, ajo ka thënë se tani prokupimi kryesor i Kurtit është se si ta shesë tek qytetarët marrëveshjen.
“Kryeministri nuk është aspak konsistent në deklaratat e tij. Është kontrovers. Shpeshherë në diskursin e tij kemi parë lëvizje në qëndrimet e tij, duke u munduar ta kamuflojë…Preokupimi i tij kryesor është si ta ‘shesë’ për qytetarët. Ai po brengoset dhe po e përdor diskursin për të qenë i pranueshëm për qytetarët”, është shprehur Lushaku-Sadriu.
Ndryshe nga Kurt, ajo ka thënë se LDK-ja është konsistente në qëndrimet e saj për dialogun me Serbinë.
Sipas saj, kjo parti i qëndron mbrapa vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.
“Ndërsa, LDK-ja është konsistente në qëndrimet e saj për atë që ka thënë më herët kur ka qenë në pozitë. Edhe Asociacionin edhe temat e vështira që kanë qenë të papranueshme për LVV-në në opozitë, ne tani i mbështesim për aq sa i kemi nënshkruar dhe qëndrojmë prapa tyre duke i respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Lushaku.