Lushaku-Sadriu: E trishtueshme dhe kriminale që të mos ketë përgjigjje për zhdukjen e mostrave të Deharit - NACIONALE

Lushaku-Sadriu: E trishtueshme dhe kriminale që të mos ketë përgjigjje për zhdukjen e mostrave të Deharit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehoha Lushaku-Sadriu, ka thënë se Qeveria Kurti nuk është vetëm e paaftë.

Në reagimin e saj ndaj pretendimeve të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, është shprehur e trishtuar për mospërgjigjen dhe papërgjegjësinë e pushtetit ndaj zhdukjes së mostrave.

Ajo ka thënë se tragjike ishin edhe konstatime e Abazit për dialogun me Serbinë dhe luftën kundër korrupsionit.

Dhe në fund, qeverisja e Vetëvendosjes u definua nga Abazi me dy togfjalësha: Ngulfatje e demokracisë së brendshme dhe kontrollë nga persona të caktuar nga lidershipi. Çdo qeverisje e brendshme partiake tregon edhe mënyrën e qeverisjes në pushtet.” – ka shkruar ndër të tjera ajo.

Shkrimi i plotë i saj:

Jo vetëm të paaftë!

Nga një deputet i pushtetit, Haki Abazi, sot dëgjuam për skenar të llahtarshëm të shkatërrimit të mostrave të Astrit Deharit, ‘për të cilin dijnë Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe ka dëshmi’. Ky supozim kërkon përgjigjje të menjëhershme me dokumentime nga qeveria, por edhe hetime gjithsesi. Është e trishtueshme dhe kriminale që të mos ketë përgjigjje e përgjegjësi të dhënë deri tani për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit!

Aspak më tragjike nuk ishte konstatimi i deputetit Abazi për mungesen e luftimit të korrupsionit dhe dialogun me Serbine; kauzat kryesore për të cilat partia në pushtet ka fituar përkrahjen popullore. Kjo edhe njëherë vërteton sorollatjen e kësaj qeverie me fjalë boshe pa asnjë vision në dëm të Kosovës.

Për shkatërrimin e miqësive ndërkombëtare, s’kishte nevojë të konstatonte Abazi, sepse këtë e kanë vërtetuar deklaratat e njëpasnjëshme të shteteve mike publikisht e zyrtarisht.

Dhe në fund, qeverisja e Vetëvendosjes u definua nga Abazi me dy togfjalësha: Ngulfatje e demokracisë së brendshme dhe kontrollë nga persona të caktuar nga lidershipi. Çdo qeverisje e brendshme partiake tregon edhe mënyrën e qeverisjes në pushtet.

Fatkeqësisht, nga gjithë kjo katrahurë ndodhishë, kjo qeveri dëshmon se nuk është vetëm e paaftë, por skajshmërisht e dëmshme për Kosovën. Fatkeqesisht dëshira e votuesve për ndryshim, solli diktaturë me votë.

Lajme të ngjashme