Lladrovci pas kandidaturës së Hajdarit: Nëse mendojnë që edhe ‘Dada Razë’ i fiton zgjedhjet me PDK-në në Drenas, gabojnë
Pas njoftimit të Petrit Hajdarit se do të kandidojë për kryetar të komunës së Drenasit, kryetari aktual Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ai do të jetë sërish kandidat për kryetar komune nga radhët e PDK-së.
Në një shkrim në Facebook, Lladrovci thotë se ‘është në dorë të kryetarit Memli Krasniqi dhe të partisë’ për ta zytarizuar kandidaturën e tij dhe përmend sukseset e komunës së Drenasit, nën udhëheqjen e tij.
“Pas shumë thirrjeve tuaja dhe pyetjeve nga mediat, rreth kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, theksoj si vijon:
Kam qenë dhe mbetem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, i përkushtuar për të vijuar me projektet dhe punën që po e bëjmë në pajtim me mandatin dhe mundësitë që i lejon ligji.
E kam deklaruar se është në dorë të Kryetarit Krasniqi dhe Kryesisë së PDK-së të bëj emërimin zyrtar të kandidaturës time si përfaqësues i PDK-së, si themelues i PDK-së, ish deputet dhe kryetar i komunës nga viti 2016, gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë nga shtatë vitet e ekzistencës së garës për performancën komunale.
Komuna e Drenasit ka marrë edhe Çmimin Evropian për Qeverisjen e Shkëlqyer në Shkup, të mbështetur nga ALDA, Këshilli i Evropës dhe Qendra e Ekspertizës për Qeverisjen e Mirë, me arritjen e nivelit të lartë të qeverisjes së mirë, të krahasuar me 12 standardet e Këshillit të Evropës.
Pres që Kryetari dhe Kryesia e Partisë, të marrin në konsideratë traditën dhe përvojën e deritashme të zhvillimeve pozitive në parti, të çmojnë meritokracinë dhe vendimi të jetë i bazuar në vepra. Unë, me qeverisjen time e kam bërë PDK-në krenare, me vlerësimet e performancës, ku marrin pjesë institucionet vendore e ndërkombëtare”, shkruan Lladrovci.
Ai tutje përmend atë se asnjë nga ‘zyrtarët apo drejtorët komunal nën udhëheqjen e tij, nuk ka as akuzë’.
“Për këto vite të qeverisjes së mirë, asnjë nga zyrtarët apo drejtorët e komunës nuk ka as akuzë e as dënime për punën në komunë, ashtu siç unë nuk kam asnjë akuzë e as dënim gjatë qeverisjes së shkëlqyer, duke qenë qeverisje lokale me duar të pastra.
Vendimi i Kryesisë të Degës së PDK-së më 9.6.2025 ishte i qartë, 41 ishin për kandidaturën time për kryetar komune edhe një mandat, një kundër dhe një abstenim, prandaj, është rast për reflektim brenda strukturave dhe vullnetin politik të nivelit local”, shkruan Lladrovci.
Ai ka ironizuar duke thënë se nuk bën të mendohet se ‘edhe Dada Razë i fiton zgjedhjet në Drenas me PDK-së’ duke shtuar se kjo parti në këtë komunë, kishte mjaft sfida ndër vite.
“Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë”, i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron, sepse, si asnjë degë e PDK-së në Kosovë, Dega në Drenas kishte ballafaqime mjaft sfiduese. Uniteti në degën e PDK-së, ishte i konfirmuar me zgjedhjet nacionale, duke arritur 19.614 vota, si asnjë herë më parë. Qytetari i komunës së Drenasit i nderon veprat, andaj, në qetësi mirëpres vendimin e Kryetarit Krasniqi dhe të Kryesisë së PDK-së.
Gjashtë herë Drenasi është komuna me qeverisjen më të mirë, transparente e llogaridhënëse, besoj fort se do të shpallemi kampion edhe për herë të shtatë, tetë, nëntë e dhjetë...”, shkruan Lladrovci.
Më herët, Petrit Hajdari, një nga kandidatët më të votuar për deputet nga radhët e PDK-së në Drenas, po ashtu njoftoi se do të kandidojë për kryetar komune.
Në njoftimin e tij, edhe Petrit Hajdari tha se ‘pret mbështetjen e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi dhe kryesisë së kësaj partie’
“Ju keni folur, unë ju kam dëgjuar: PO, DO TË KANDIDOJ PËR KRYETAR KOMUNE.
Rrugëtimit tim politik me Partinë Demokratike të Kosovës, të nisur me strukturat rinore dhe me vizionin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, po ia shtoj një kapitull të ri. Ky kapitull buron drejtpërdrejt nga kërkesa e madhe qytetare, nga dialogjet e panumërta me secilin prej jush dhe nga vota e fuqishme, masive dhe e papërsëritshme që mora në Drenas më 9 shkurt.
Ky vendim ka qenë një prej vendimeve më të natyrshme që kam marrë, pasi buron nga qytetari, kërkesat, nevojat dhe sfidat e tij. Kryetari i rizgjedhur Memli Krasniqi, kryesia e PDK-së në të cilën jam anëtar dhe Këshilli Drejtues i Partisë e dinë fare mirë që pavarësisht pozitës e llojit të zgjedhjeve ku kam marrë pjesë, për mua prioriteti numër një dhe i patjetërsueshëm ka qenë qytetari i Drenasit tim”, njoftoi Hajdari.