Lista Serbe për shpërthimin në veri: Është i qëllimshëm për t’i arsyetuar Njësitet Speciale
Lista Serbe ka dalë me një reagim pas shpërthimit të fundit që u dëgjua mbrëmë në veri.
Ata kanë deklaruar se këto sulme janë të qëllimshme. Kjo pasi pretendojnë se në këtë formë po arsyetohet prezenca e Njësive Speciale të Policisë në veriun e vendit.
“Në emër të popullit serb, dënojmë ashpër incidentin që ndodhi mbrëmë, kur persona të panjohur hodhën bombën e mundshme, pranë vendbanimit ‘Tre Solitera’, në veri të Mitrovicës dhe shkaktuan shqetësim te qytetarët tanë. Jemi të bindur se kjo është bërë qëllimshëm për të arsyetuar praninë e shtuar të forcave speciale të armatosura dhe të automjeteve të blinduara, që mbrëmë pas këtij incidenti, kanë qenë në rrugët e Mitrovicës së veriut dhe i kanë frikësuar qytetarët”, thuhet në njoftim.
“Njoftojmë opinionin se edhe në rastin e gjoja zbulimit të armëve në automjete dhe bombave të supozuara të hedhura në godinën e komunës, është interesant fakti se kjo shok-bombë është hedhur edhe në zonën që prej javësh nën kontroll të plotë të njësive speciale”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se janë bërë më shumë se 5 sulme të tilla në pjesën veriore. Ditë më parë Policia e Kosovës ka kapur një veturë të mbushur me armatim që ishte me tabela të Serbisë.