Lirohen autobusët e bllokuar, BE: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë - NACIONALE

Lirohen autobusët e bllokuar, BE: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka dënuar veprimin e Serbisë në rastin e ndalimit të rreth 300 udhëtarëve nga Kosova në pikën kufitare Kroaci-Serbi, në kufi me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, si dhe në Dheu i Bardhë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se autoritetet serbe “kanë shkelur Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar Stano.

Ndërkaq, TëVë1 raportoi se pas rreth 17 orësh autobusët e bllokuar përfundimisht janë lëshuar.

Ai ka thënë se autoritetet serbe i kanë bërë pyetje rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i pyetur udhëtarët nëse kanë qenë pjesë e saj.

“Jemi gjetë në mënyra të ndryshme për ushqime nga rezervat që i kemi pas me vete, nuk e dimë arsyen se për çka na kanë ndalë, nga ora 23:00 dje deri tash. Na kanë pyetur se ku keni qëndrua gjatë kohës së luftës, a keni qenë të kyçur në UÇK, a keni familjarë në Polici, FSK etj”, tha Osmani, një nga shoferët e kompanisë Zhitia Turs.

"Hakmarrje e Serbisë për KiE-në"

Në lidhje me bllokimin e autobusëve në kufi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për “hakmarrje” ndaj Kosovës pas rezultatit të djeshme në favor të Kosovës në votimin e i raportit të Dora Bakoyanis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj.

Përmes një reagimi në X, kreu i qeverisë ka vënë theksin në bllokimin e 300 kosovarëve në pikën kufitare Serbi-Kroaci, duke shkruar se "një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë".

“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Njoftohet QUINT-i dhe BE-ja

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar përsëri pas bllokimit të qytetarëve kosovarë në pikat kufitare në Serbi.

MPJ ka thënë se udhëtarët janë ndaluar në pikën kufitare Kroaci-Serbi, në Batrovci dhe qytetarët që po vinin në Kosovë, janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, si dhe te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë.

“Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.”

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.” – thuhet në njoftim.

Tutje, MPJ ka thënë “të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.”

Lajme të ngjashme