Limaj: Ta shohim aktgjykimin e Kushtetueses, tri partitë e mëdha fajtore për bllokadën
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për njoftimin e fundit të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese, ku është theksuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar dhe se duhet të zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb.
Ai ka theksuar se Nisma Socialdemokrate do të vazhdojë të respektojë çdo aktvendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet të shohim aktgjykimin e plotë për të parë se çfarë ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese dhe çfarë udhëzimesh ka dhënë. A do të shkojë në përsëritje votimi i pakos së nënkryetarëve për komunitete?”, ka thënë ai në Klan Kosova.
“Apo do të vazhdohet me një? Është ende e panjohur derisa ta lexojmë aktgjykimin, dhe pastaj, mbi bazën e atij aktgjykimi, do të marrim vendime. Ajo çka mund t’iu them unë që tani, është se, si gjithmonë, ne vazhdojmë t’i ndjekim aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Limaj.