Limaj projekton sinergji me “30-40 mijë vota” shtesë nga bashkimi – PDK-ja sheh “mungesë disponimi”
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, e ka shprehur tashmë edhe publikisht – përmes një letre dërguar të premten në adresë të kryetarit Bedri Hamza – synimin për të garuar në listë të përbashkët me PDK-në në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Por, së paku deri para kësaj kërkese zyrtare, nënkryetarët e subjektit më të madh opozitar të legjislaturës së kaluar u shprehen skeptik rreth bashkimit të mundshëm.
Një natë para se ta formalizonte këtë propozim, Limaj e arsyetoi ofertën ndaj PDK-së në emisionin “Debat Plus” si akt të përgjegjësisë opozitare dhe jo thjesht si kalkulim elektoral.
Sipas Limajt, vullneti i tij dhe i strukturave që ai drejton “nuk na mungon”, duke shtuar se janë “të interesuar që të ndërtojmë një listë të përbashkët”.
Gjatë kësaj interviste, ai u shpreh se NISMA është e gatshme “me u bashku e me u shkri në një formacion të përbashkët” dhe atë “nën siglën PDK”.
"Ne e kemi thënë edhe herën e kaluar: ne jemi të interesuar të bashkohemi dhe të shkrihemi në një formacion të përbashkët, për ta dhënë kontributin tonë dhe për ta fuqizuar atë.... të bëhemi pjesë dhe të sinkronizohemi bashkë nën siglën e PDK-së", tha ai.
Limaj madje e përforcoi idenë e koalicionit edhe me projeksion matematikor: sipas tij, një sinergji e tillë politike mund t'i garantojë PDK-së nga 30 mijë deri në 40 mijë vota shtesë.
"Besoj që 40.000 vota, 30.000 vota i merr shtesë për shkak të sinergjisë", tha ai.
Megjithatë, vullneti i shfaqur nga Limaj ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal serioz për bashkim në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Nënkryetarët e Partisë Demokratike treguan rezerva kur u pyetën rreth rikthimit të mundshëm të kreut të NISMA-s.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, tha së fundi në “Pressing” se “nuk ka pasur diskutim fare për atë nga hera e kaluar”. Ai shtoi se “nuk ka pasur disponim brenda PDK-së që të ketë përafrim dhe as tash nuk shoh disponim për përafrim”.
Në një linjë argumenti të ngjashëm, nënkryetarja tjetër e PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi në “T7” se objektivi primar i partisë është ndërtimi i një liste sa më përfshirëse, por duke vënë theksin kryesisht te figurat e reja.
“Synimi ynë është që ta bëjmë një listë sa më gjithëpërfshirëse. Në zgjedhjet e kaluara, 50% e listës kanë garuar për herë të parë. Unë po besoj që skena politike në Kosovë ka nevojë për figura të reja, personalitete të reja. Nuk është diskutuar fare çështja e Limajt dhe nuk pres që të ketë epilog ndryshe nga ai që ishte në zgjedhjet e fundit”, kishte deklaruar Çitaku.
Një qasje disi më të matur reflektoi anëtari Përparim Gruda, kur u pyet rreth çështjes Limaj.
Ai tha se nuk beson që “i janë mbyllur dyer zotit Limaj”, por shtoiu se PDK-ja deri në atë moment nuk kishte pranuar “asnjë kërkesë” zyrtare nga ai.
Pikërisht këtë vakuum procedural u përpoq ta mbushte Limaj vetëm pak ditë më pas, përmes letrës dërguar kryetarit Bedri Hamza, ku konfirmoi “gatishmërinë tonë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-së”.
Përmes kësaj shkrese, ai kërkoi inkuadrimin e NISMA-s në listën e PDK-së, duke e argumentuar këtë nismë si bashkim të domosdoshëm të potencialit politik, organizativ dhe atij elektoral.
Më tej, ai shtoi se një afrim i tillë nuk do të përkthehej “vetëm në një marrëveshje politike apo elektorale”, por në një “frymë e bashkëpunimit” mes njerëzve dhe strukturave që, sipas vlerësimit të tij, ndajnë të njëjtat ideale, sakrifica dhe një vizion të përbashkët për Kosovën.
Limaj e pranoi pa ekuivoke se NISMA, e vetme, nuk gjen motive për t'u përfshirë në këtë garë. "Këto s’janë zgjedhje për ne, janë rivotim," tha ai.
Kreu i NISMA-s pohoi se epilogu zhgënjyes i zgjedhjeve të dhjetorit nuk mund të përmbyset brenda tre muajsh dhe se subjekti i tij nuk është i gatshëm t'i hyjë një beteje të dytë elektorale me të njëjtat kapacitete.
Rrjedhimisht, ai bëri të ditur se NISMA do të parapërgatitet për “rundin tjetër zgjedhor” dhe do ta ushtrojë “opozitarizmin jashtë parlamentit”.