Limaj: Dy vitet e fundit procesi i dialogut ka degraduar
Si te degraduar po e konsideron dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se në dy vitet e fundit nuk ka pasur marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Në një intervistë për Ekonomia Online, kreu i Nismës thotë se njohja reciproke është larguar nga kjo marrëveshje, teksa konsideron se dialogu ndër vite e ka pasur këtë synim.
“Ka degraduar dialogu për dy vitet e fundit, nga bisedimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen brenda. Kanë qenë tri principe; e para marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obliguar me njohje brenda. E dyta ka qenë një princip që nëse nuk merremi vesh për të gjitha, nuk jemi marrë vesh për asgjë dhe e treta njohja në fund. Të gjitha këto u zhduken dhe erdhëm në një situatë me një propozim (plani franko-gjerman), dhe kjo ka ardhë si rezultat i sjelljes së këtij njeriu (Kurtit)”, thotë Limaj.
Limaj thekson se një pjesë e madhe e territorit të Kosovës sot është e paqeverisshme.
“Ato zhvillime e tensionime që ndodhën në veri të vendit, praktikisht jemi në një situatë ku ne sot 14 për qind e territorit të Kosovës nuk ka ligjshmëri. Një pjesë e madhe e territorit, sot është e paqeverisshme, nuk ka institucione të Kosovës. Bota po thotë se është problem sigurie. Për t’u rikthyer serbët në institucione, duhet me u plotësu kushtin që e kanë nxjerrë, pra Asociacionin”, u shpreh Limaj.