Limaj: Deri sot, nuk kemi marrëveshje me askënd - NACIONALE

Limaj: Deri sot, nuk kemi marrëveshje me askënd

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Fatmir Limaj thotë se nuk ka marrëveshje deri sot as me Lëvizjen Vetëvendosje e as me ndonjë parti tjetër për formimin e Qeverisë.

“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri sot, Nisma do të punojë fort që Kosova do të mos ketë krizë parlamentare.

Ajo që mund të themi është se deri tani ne nuk kemi marrëveshje me asnjë grupacion politik. Do të shohim nesër. Nesër mund të ketë zhvillime dhe do të keni përgjigje”, tha ai sot për gazetarët para Kuvendit të Kosovës.

Duke iu përgjigjur kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se ‘do të ishte e turpshme nëse Limaj do të shkonte me Kurtin’ dhe se ‘i ka dërguar shkresë’ – kryetari i Nismës e mohoi të ketë shkresë ndërkaq nuk e komentoi pjesën e ‘do të ishte e turpshme…”

“Nuk e di çka ka ndodhur. Unë nuk kam pranuar asnjë shkresë nga askush dhe nuk kam pa ndonjë dakordim diku që dikush mos me u taku”, tha Limaj.

Ai tha se rikthimi i partisë së tij, do të jetë një zë që i ka munguar Kuvendit.

“Rikthimi i Nismës në parlament, besoj se ka qenë një zë i munguar. I siguroj të gjithë aktivistët dhe votuesit tanë që do të punojmë fort në shërbim të vendit. Do të ngrisim çështje që besojmë se janë në të mirën e Kosovës, do të ballafaqohemi me argumente politike, do të tregojmë shkallë të lartë të pjekurisë politike”, tha Limaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherit partner i koalicionit me Limajn sot tha se ‘pozicinimi i parakohshëm i Limajt ka vështirësuar gjithçka për një qeveri me partitë që ishin në opozitë’.

Ai i faturoi fajin pikërisht Limajt për dështimin e deritanishëm të opozitës për krijimin e një shumice nga opozita duke thënë se “pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë”.

“Nuk kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e Limajt. Ka qenë shumë i vështirë krijimi i shumicës nga opozita, pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshem.” – tha Haradinaj.

“Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por është një ndarje e turpshme, pasi kemi kërkuar vota për ndryshim dhe sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm.” – tha kreu i AAK-së.

Keqardhje për drejtimin e zgjedhur nga Nisma, shprehu edhe deputeti i kësaj partie, Bekë berisha, i cili tha se kishte "besuar fuqishëm" në koalicionin me këtëparti dhe mundësinë e ndërtimit të një fronti të përbashkët opozitar.

“Sa i përket qeverisë nga opozita, ne i kemi qëndrimet tona të qarta. Për Nismën… s’kam biseduar me ta, sepse është dikush tjetër që i udhëheq ato bisedime. Kam besuar në koalicionin me Nismën dhe në fjalët që kemi thënë – se do të ndërtojmë një qeverisje të opozitës dhe do ta kthejmë Kosovën në drejtimin e duhur. Kam besuar fuqishëm. Ndoshta është thyer besa, por të shohim njëherë.”, tha Bekë Berisha.

Lajme të ngjashme