Ligji që përplasi pushtetin me Këshillin Prokurorial, nesër diskutohet në Kuvend - NACIONALE

Ligji që përplasi pushtetin me Këshillin Prokurorial, nesër diskutohet në Kuvend

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Opinion dha dy herë Komisioni i Venecias. Pas kësaj, verdiktin për Projektligjin e Këshillit Prokurorial pritet ta japin deputetët në Kuvendin e Kosovës. Ky ligj do të shqyrtohet në parim nesër në legjislativ. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të gjithë asaj që ndodhi me Ligjin për Këshillin Prokurorial, përplasjet, e deri te akuzat nga opozita.

Nesër në Kuvend për lexim të parë do të shqyrtohet një ndër projektligjet më të përfolura të Qeverisë Kurti II. Projektligj që qeveria në fakt kërkon të identifikohet, duke marrë për bazë premtimet e tyre për drejtësi, rend e ligj.

Projektligji për Këshillin Prokurorial, që në parim synon të rregullojë punën e këshillit prokurorial, ka zgjuar debat të madh e përplasje në mes ministrisë së drejtësisë, e cila është përgjegjëse për hartimin e këtij projektligji, opozitës, shoqërisë civile dhe vetë Këshillit Prokurorial, këtij aktualit.

Por çka në të vërtetë është Këshilli Prokurorial?

Këshilli Prokurorial është institucion i pavarur, i cili është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve, për emërimin dhe riemërimin në zyrën prokuroriale, si dhe vlerëson, ngrit në detyrë, shkarkon, transferon dhe ofron mbështetje në trajnimin e prokurorëve. Gjithashtu, Këshilli zgjedh Kryeprokurorin e shtetit, e bashkë me të është përgjegjës për menaxhimin e buxhetit të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit.

Pra, Këshilli Prokurorial është organi më i rëndësishëm i akuzës në Kosovë.

Si ishte dikur, e si po synojnë ta bëjnë tash?

Me ligjin aktual, këshilli përbëhet nga 13 anëtarë. 10 prej tyre prokurorë, duke përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, 1 anëtar avokat nga Oda e Avokatëve, 1 anëtar profesor universitar i drejtësisë, 1 anëtar përfaqësues nga shoqëria civile.

3 anëtarët që nuk janë prokurorë, pra ata të odës së avokatëve, profesorin universitar dhe përfaqësuesin nga shoqëria civile, i ka zgjedhur Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Ndryshimet janë të shumta e rrënjësore, por më të debatueshmet janë pikërisht ato që ndryshojnë përbërjen e Këshillit.

Zvogëlimi i anëtarëve në këshill është elementi që ka zgjuar debatin më të madh. Nga 13 sa ishin, me projektligjin e ri synohet që këshilli të përbëhet e të funksionojë me 7 anëtarë. Prej tyre 4 prokurorë, 2 anëtarë të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës, 1 anëtar të delegohet nga Avokati i Popullit.

Deri tek kjo përbërje që do të propozohet nesër në Kuvend, erdhi vetëm pas opinionit të Komisionit të Venecias, sepse ministria në hartimin e tyre të parë, propozonte që 4 nga 7 anëtarët të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës. Kjo u pa si ndikim i drejtëpërdrejtë i politikës në drejtësi nga komisoni, ku në opinionin e tyre, ndër të tjera thuhej: “Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj shumicës qeverisëse”.

Përplasjet

Përplasjet për këtë projektligj, si rrallëherë kanë tejkaluar debatin e zakonshëm pozitë-opozitë.

Në këtë debat është përfshirë edhe vetë këshilli prokurorial, ky aktuali, duke i reaguar ashpër ministrisë së drejtësisë disa herë.

Ky nxitim i Ministrisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet finale nga Komisioni i Venecias, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokurorial”, thuhej në reagimin e KPK-së, pasi ministria kishte proceduar për kuvend këtë projektligj.

Oda e Avokatëve, përmes nënkryetarit të saj Naim Rudari, ka qenë gjithashtu mjaft e zëshme, pasi që me projektligjin e ri, odës i hiqet anëtari i vetëm potencial nga ky këshill.

Përmes një reagimi në Facebook, Rudari bën thirrje që të ndalet patjetër miratimi i një projektligji të tillë:

Oda e Avokatëve, KPK dhe Shoqëria Civile duhet ta ndalojë projektligjin, që të miratohet si i tillë. Fatkeqësisht pa asnjë arsye është larguar nga kjo përbërje një (1) anëtar avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës”, thuhet ndër tjera në reagim.

Opozita ka qenë shumë aktive në shpjegimin e tyre, kundër këtij projektligji.

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së e anëtar i Komisionit për Legjislacion, nëpër duart e të cilëve kalon ky projektligj, ka folur për Gazetën Nacionale, me tone mjaft të ashpëra për këtë rirregullim të KPK-së.

“Projektligji në tërësinë e vet është joprofesional, që nga qëllimi, që fillon me nenin 1 e deri në fund, ka nevojë për intervenime. Përbërja e Këshillit është jashtëzakonisht problematike, që 4 anëtarë t’i zgjedhë Kuvendi dhe 3 jo, sepse kjo do të ishte kapje. Bile kapje publike e organit të akuzës. Tash është bërë një ndryshim sipërfaqësor, që jo 4 anëtarë t’i zgjedhë Kuvendi por 3, ndërsa 4 të tjerë nga Këshilli Prokurorial, por mënyra se si është bë që të zgjidhet nga KPK, lë shumë për të dëshiruar”, thotë deputeti Selmanaj.

Shoqëria civile në anën tjetër e ka përkrahur këtë iniciativë për ndryshimin e Ligjit për KPK-në, por gjithmonë duke bërë thirrje që të mos ketë ndikime politike.

Zëra ka pasur edhe për tendencën e partisë në pushtet, që Kryeprokurorin e ri ta zgjedhë me Ligjin e ri. Kjo varet nëse presidentja Vjosa Osmani, do ta dekretojë emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror.

Të gjitha këto përplasje, debate e analiza, pritet të rikthehen në sallën më të rëndësishme të Republikës, nesër, kur pritet të trajtohet në lexim të parë ky projektligj.

Lajme të ngjashme