Ligji për Pagën Minimale, presidentja sot takon përfaqësuesit e veteranëve
Gjatë ditës së djeshme u konfirmua që OVL e UÇK-së ka kërkuar takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, rreth Ligjit për Pagën Minimale i cili u miratua javën e kaluar në Kuvend. Ndërkohë, tashmë është konfirmuar se kryetarja e shtetit, e ka pranuar një kërkesë të tillë.
Këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, i ka thënë Nacionales se takimi do të mbahet sot.
“Presidentja Osmani do t'i takojë sot përfaqësuesit e OVL të UÇK-së.” – ka thënë ai.
Veteranët “të përjashtuar”
Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së dje përmes një shkrimi në Facebook tha se veteranët janë përjashtuar nga Ligji për Pagën Minimale.
Këtu, ai edhe e konfirmoi kërkesën për presidenten Osmani.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar kërkesë për takim zyrtar Presidentes së Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu, lidhur me çështjen e miratimit nga Kuvendi i Kosovës, të ligjit për pagën minimale, me anë të të cilit janë përjashtuar veteranët e luftës së UÇK-së.” – tha ai.
Ndërkohë, në një seancë që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, deputetët e pushtetit, pa ata të opozitës, javën që lamë pas më 60 vota për dhe një abstenim kaluan Ligjin për Pagën Minimale.
Sipas këtij ligji, paga minimale do të jetë 264 euro.
Para më shumë një viti ky Projektligj kishte kaluar në lexim të parë derisa kishte mbetur peng dhe kishte shkaktuar indinjatë të thellë për shkak të përjashtimit të kategorive të veteranëve të luftës të cilët edhe kishin protestuar në numra të mëdhenj.
Ndërkaq në këtë ligj mbeten ende jashtë kategoria e veteranëve të luftës “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual." - thuhet në dispozitën që përmbahet në këtë projektligj.
Amandamenetet e propozuara nga AAK dhe PDK që në këtë projektligj të përfshihen veteranët luftës, nuk janë pranuar nga mazhoranca parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci uroi për kalimin e këtj ligji.
“Miratohet Ligji për pagën minimale! Me 60 vota për, është miratuar Ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro. Urime.” – kishte thënë ai.
Protesta e veteranëve
Ndërkohë, skandali me përgjime i shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq i publikuar gjatë javës së kaluar në Gazetën Nacionale ishte njëra nga arsyet që qytetarët e Kosovës u mobilizuan në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestë.
Të ashpër ndaj Qeverisë janë shprehur veteranët e UÇK-së, kjo pasi që Ligji për pagën minimale ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, kështu duke bërë rritjen nga 130 dhe 170 në 264 euro, mirëpo duke i lënë ata jashtë.
Qytetarët në duar kanë mbajtur pankarta në të cilat mund të lexohen mbishkrime si: "Mimozë, a të kallxoi Radojiçiqi se ku janë 1600 të zhdukurit e luftës", dhe "Mimozë, ti fyji veteranët e Jabllanoviqi nënat e tyre".

