Ligji për Financimin e Partive Politike, shtyhet për javën e ardhshme
Projektligji për Financimin e Partive Politike, nuk hyri në rend dite për sot në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se ka qenë e pamundur që ky ligj të jetë në rend dite për sot, pasi nuk është miratuar në Komisionet e tjera.
“Ky Ligj është i rëndësishëm, dhe jam munduar në Komisionin për Buxhet që t’i zhvillojmë diskutimet për të arritur konsensus. Teknikisht nëse më lejoni me konkludu që ka hyrë në rend dite pa u kryer procedura. Sepse të hënën është mbajtur mbledhja e kryesisë. E komisioni për Buxhet tek të mërkurën e ka votuar raportin me amendamente, e pastaj është dërguar te komisionet e tjera”, ka thënë Hoti.
Kundër që ky ligj të diskutohet sot, ka qenë edhe Abelard Tahiri nga PDK-ja.
“Ky ligj duhet t’i nënshtrohet seancës së radhës. Kryesia do ta vendos që në seancën javën e ardhshme, ta shtijmë për shqyrtim. Grupi nuk e përkrah mocionin që ta shqyrtojmë sot gjatë seancës”, ka thënë Tahiri.
E Vetëvendosje, ka propozuar që një mocion për trajtimin e këtij ligji, që të shqyrtohet në Komisionet e tjera gjatë ditës së hënë.
Ky mocion është miratuar me 64 vota për.