Ligji parasheh pasoja politike: PZAP mund t`i përjashtojë nga lista kandidatët që dëshmohet se janë përgjegjës për vjedhje të votave
Kandidatët e partive politike për deputetë nuk mund të shpëtojnë lehtë, nëse vërtetohet se janë përfshirë në procesin e manipulimit të votave.
Përveç pasojave juridike nga organet e drejtësisë, ata mund të kenë edhe pasoja të rënda politike nga PZAP-ja.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka paraparë se çfarë masa mund të merret ndaj atyre që kanë prekur integritetin zgjedhor.
Në nenin 120 të këtij ligji përmenden sanksionet ndaj kandidatëve dhe partive që shkelin dispozitat e këtij ligji dhe rregulloret e KQZ-së.
Paragrafi i parë i këtij neni tregon se PZAP-ja është institucioni që ndërmerr masa ndaj kandidateve që kanë prekur vullnetin e qytetarëve.
Kurse, në paragrafin 3 specifikohet se nëse vërtetohet se një kandidat ka minuar integritetin e zgjedhjeve, PZAP-ja mund të largojë kandidatin në fjalë nga lista për deputet.
“Në rast se ka ndodhur një shkelje e këtij ligji ose rregullave zgjedhore, e cila e minon integritetin e zgjedhjeve, PZAP-ja mund të: 3.1. largojë një kandidat nga lista e kandidatëve, kur të dëshmohet se kandidati ishte përgjegjës për këtë shkelje; 3.2. largojë një apo disa kandidatë nga lista e kandidatëve të një subjekti politik dhe të mos e lejoj subjektin politik t’i zëvendësojë kandidatët e larguar, nëse PZAP-ja përcakton se subjekti ishte përgjegjës për këtë shkelje", thuhet në këtë nen, duke treguar se masa të renda mund të merren edhe ndaj subjektit politike.
“3.3. decertifikojë një subjekt politik nga pjesëmarrja në zgjedhje; dhe 3.4. ndalojë një individ të marr pjesë në zgjedhjet e mbajtura nën autoritetin e KQZ-së, si kandidat apo edhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor, për një periudhë kohore që nuk i kalon gjashtë (6) vite. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të rinumërohen të gjitha votat në 28 komuna të Kosovës”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 120 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të rinumërohen të gjitha votat në 28 komuna të Kosovës.
Kjo pas dallavereve të evidentuara në disa komuna.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë me dije
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha tek disa kandidatë”, ka deklaruar ai.
Radoniqi ka thënë se të gjitha të dhënat, do t’i adresojnë në Prokurorinë e Shtetit.
“Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, është shprehur Radoniqi.
Rinumërimin e mbështetën përfaqësuesit e të gjitha partive politike.