Thirrje për solidaritet e bashkim: Urimet e liderëve të shtetit për Kurban Bajram
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e kryeministri, ALbin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e udhëheqës të tjerë kanë uruar Festën e Kurban Bajramit.
Ata kanë bërë thirrje për solidaritet me të tjerët.
Në urimin e saj, Osmani ka thënë se festa është mundësi për reflektim mbi olidaritetin, sakrificën e tolerancën.
"Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë." - ka thënë ajo.
“Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë. Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, shkruan Osmani.
Edhe Kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
Ai ka thënë se "në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët."
"Gëzuar e me fat Kurban Bajrami! Sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten. Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve."
"Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit." - ka shkruar Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar festën e Kurban Bajramit.
Në llogarinë e tij në Facebook, Kryeparlamentari Konjufca ka uruar që festa t’i gjejë qytetarët më afër njëri-tjetrit, me begati, gëzim e paqe.
“Festa e Kurban Bajramit e risjell në vëmendje sakrificën dhe përkushtimin për të bërë vepra të mira, falë fuqisë së besimit që na bën të tejkalojmë vetveten. Urojmë që ky Kurban Bajram t’i gjejë të gjithë sa më mirë, me frymën e përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, të vëmendshëm ndaj atyre që më së shumti kanë nevojë, e me këmbëngulje për një shoqëri që ecën përpara me të gjithë pjesëtarët e saj, pa lënë askënd pas. Po ashtu, dëshiroj t’iu uroj besimtarëve gëzim, paqe dhe begati. Le të sjell kjo festë shëndet, mirëqenie, harmoni e lumturi për ju dhe familjet tuaja dhe le të na bashkojë të gjithëve me dashuri, solidaritet e mirësi”, ka shkruar ai.
Festën e Kurban Bajramit e ka uruar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
"Le të kujtojmë se solidariteti dhe vullneti për të ndarë të mirat me të tjerët në vështirësi e nevojë janë vlera të çmuara njerëzore tonat. Derisa i manifestojmë ato nën qiellin e Krijuesit, le të përpiqemi që të jemi më të mirë, më të ndershëm, më të kujdesshëm. Dhe në këtë rrugëtim tonin, le të ndërtojmë një vend e shoqëri të shëndoshë e solidare", ka shkruar ai.
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi edhe kryetari AAK-së kanë uruar Festën e Kurban Bajramit.
Përveç tyre edhe përfaqësuesit e shteteve evropiane e ata të SHBA-së, kanë uruar besimatarë myslimanë me rastin e festës.


