Liderët kosovarë vlerësojnë lart figurën e ish-presidentit Nishani - NACIONALE

Liderët kosovarë vlerësojnë lart figurën e ish-presidentit Nishani

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit institucionalë dhe politikë të Kosovës janë shprehur të pikëlluar me lajmi për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ata i kanë shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë popullit shqiptarë për vdekjen e sh-presidentit Nishani.

Presidentja, kryeministri dhe liderët e partive politike kosovare kanë vlerësuar lartë figurën e ish-presidentit Nishani, duke thënë se ai ka përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe ka përkrahu Kosovën deri në frymën e fundit.

Sipas tyre, ai do të mbahet në mend si një kontribuues i madh i demokracisë në Shqipëri.

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, ka shkruar në profilin e saj në “Facebook” presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, ai me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, ka shkruar Kurti.

Vlerësimet më të larta për ish kreut e shtetit shqiptar, kanë shprehur edhe liderët opozitarë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklarua se ai tërë veprimtarinë politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë. “Punëtor i palodhshëm, njeri i edukuar, bashkëpunëtor besnik e patriot. Kështu do ta kujtojmë përherë figurën dhe personalitetin e shquar të Bujar Nishanit, që tërë veprimtarinë e tij politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen Nishani, për miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Nderimet më të larta për jetën dhe veprën e Presidentit Bujar Nishani!”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ngushëlluar familjen dhe popullin shqiptar me rastin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Më pikëlloi lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Ikja e tij në amshim është lajm i hidhur për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Presidenti Nishani ka lënë pas vete një trashëgimi të madhe, siç ishte i madh edhe angazhimi i tij për çështjen kombëtare. Përkushtimi i tij për paqe, zhvillim e demokraci, e bën Presidentin Nishani njeri të veçantë, personalitet të rrallë, të balancuar me ide e qëndrime si dhe të paharrueshëm në historinë e popullit shqiptar. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh ngushëllime familjes Nishani dhe mbarë popullit shqiptar”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Nishani do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri. “Paska ndërruar jetë Presidenti Bujar Nishani. Bashkëndjejmë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë sot në moshën 56 vjeçare.

Ai ka vdekur në një spital në Gjermani, ku ishte dërguar para një muaji për përkujdesje intensive pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai po ashtu vuante nga një sëmundje auto-imune, ku infektimi me Covid i kishte shkaktuar komplikime tjera shëndetësore.

Nishani ishte zgjedhur president i Shqipërisë në vitin 2012, duke shërbyer në këtë pozitë deri në vitin 2017.

Në këtë pozitë erdhi nga një karrierë akademike pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe angazhimit disa vjeçar në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në dekadën e parë të tranzicionit demokratik.

Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.

Gjithashtu, ai ka mbajtur pozitën e ministrit të Brendshëm në vitin 2007 dhe në vitin 2011, ndërsa atë të ministrit të Drejtësisë në vitin 2009.

Lajme të ngjashme