Liderët kosovarë e dënojnë atentatin kundër ish-presidentit Trump - NACIONALE

Liderët kosovarë e dënojnë atentatin kundër ish-presidentit Trump

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në Kosovë është dënuar ashpër tentim atentati ndaj ish-presidentit dhe kandidati për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump. Udhëheqësit e Kosovës dhe politikanë të tjerë i kanë uruar shërim të shpejtë Trumpit, i cili u lëndua me armë në veshin e tij të djathtë gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetarë të partive opozitare e politikanë të tjerë, kanë dënuar sulmin ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se çdo dhunë politike është e papranushme dhe e dënueshme.

Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ish-Presidentin, Donald Trump familjen e tij dhe të gjithë amerikanët e prekur nga të shtënat në mitingun e Pensilvanisë. Çdo lloj dhune politike kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër atë.” – ka shkruar Osmani në “X”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmit ndaj ish presidentit amerikan, Donald Trump.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social “X” e ka dënuar këtë sulm dhe i ka uruar shërim të shpejtë Trumpit.

I bashkohem liderëve të tjerë botërorë në dënimin e atentatit të tmerrshëm kundër ish-presidentit të SHBA’së, Donald Trump. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë atij dhe të tjerëve të plagosur dhe i dërgoj ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së spektatorit të vrarë. Mosmarrëveshjet politike në një demokraci duhet të shprehen gjithmonë përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa përjashtime.” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Jam thellësisht i tronditur nga atentati ndaj ish-Presidentit Donald Trump gjatë tubimit të tij zgjedhor në Butler të shtetit Pennsylvania. Akte të tilla të dhunës janë të papranueshme dhe paraqesin sulm direkt ndaj demokracisë.” – ka thënë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në reagimin e tij për sulmin ndaj Trumpit.

Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e dënojmë ashpër këtë sulm dhe solidarizohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto momente shqetësuese.” – thuhet ndër të tjera.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas atentatit ndaj ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Ai ka thënë se është tronditur nga akti i dhunës ndaj Trumpit dhe se LDK-ja shpreh indnjatën ndaj këtij veprimi. Më tej, Abdixhiku ka uruar shërim të shpejtë.

Aktet e tilla duhet të na shërbejnë si moment reflektimi dhe zotimi për luftimin e dhunës të cilësdo natyre ajo qoftë dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lirive, si themele për zhvillimin e demokracisë.” – thuhet ndër të tjera.

Gjithashtu edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Haradinaj ka thënë se aktet e tilla të dhunës janë pengesë për realizimin e demokracive.

E dënoj fuqishëm sulmin ndaj Presidentit Trump! Aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive, janë të papranueshme dhe duhet të ndalohen. ShBA-ja është një shembull për demokracitë në të gjithë botën dhe së bashku ne përparojmë përmes diskursit paqësor të vendeve tona dhe respektit për sundimin e ligjit. I uroj Presidentit Trump shërim të plotë!” – ka shkruar Haradinaj.

Po ashtu edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe politikanë të tjerë kanë dënuar këtë sulm.

Në anën tjetër, raportohet se i dyshuari për sulm ndaj Trumpit është një 20 vjeçar dhe i cili është vrarë nga forcat e sigurisë së SHBA-së.

Trump raportohet se është mirë me shëndet, ndërsa për sulmin ka reaguar edhe presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka thënë se në Amerikë "nuk ka vend për këtë lloj dhune.”

Lajme të ngjashme