Liderët e botës në Munih: Osmani flet në një panel, Kurti e Gërvalla as në atë ku diskutohet anëtarësimi në BE
Ka nisur të premten Konferenca e Sigurisë në Munih, atje ku po marrin pjesë liderë të shumtë botërorë duke përfshirë zëvendëspresidentin e ri amerikan, J.D. Vance. Kosova ndërkohë, po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla. Më poshtë, gjeni një përmbledhje se çka pritet të bëjnë liderët tanë atje…
Konferenca e Sigurisë në Munih është një prej forumeve kryesore në botë ku liderët botërorë mblidhen zakonisht në shkurtin e çdo viti, për të debatuar politikat ndërkombëtare të sigurisë.
Zakonisht, kjo ngjarje mbledh rreth 450 persona të profilit të lartë si liderë nga e gjithë bota, duke përfshirë krerë të shteteve, ministra, personalitete kryesore të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, përfaqësues të medias, shoqërisë civile e të tjera.
Presidentja Osmani e paralajmëroi më herët pjesëmarrjen e saj në këtë konferencë. Gjatë ditës ndërkohë, ajo pati disa takime.
Ajo njoftoi se pati takim me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuan për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Po ashtu, pati takim edhe me emisarin e ri evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen si dhe anëtarësin e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zeljko Komsic.
Veç tjerash, sipas agjendës, Nacionale ka parë se Osmani do të marrë pjesë edhe në një panel diskutimi.
Presidentja të shtunën do të paraqitet në panelin “Pavarësisht, ajo nguli këmbë: Duke i bërë ballë shpërthimit Global Gjinor” nga ora 12:30.
Kurti dhe Gërvalla bashkë, pa pjesëmarrje në panele
Ashtu siç i kemi parë nëpër shumë organizime, liderët tanë tashmë janë të ndarë edhe nëpër vizitat e tyre jashtë vendit.
Nacionale të enjten raportoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe zëvendësja e tij, Donika Gërvalla udhëtuan në mbrëmje për në Munih, ku u panë së bashkë në një avion.
Ky i pari, në margjina të konferencës ka takuar një deputete finlandeze, Tytti Tuppurainen. Më pas, njëjtë si Osmani ai u takua edhe me emisarin e ri të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.
Me këtë të fundit, u takua edhe Gërvalla.
Sipas agjendës, udhëheqësit e Qeverisë Kurti nuk pritet të jenë pjesëmarrës në ndonjë prej paneleve të organizuara këtë vit.
Madje, është parë se në një prej tyre, do të flitet pikërisht për anëtarësimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Kurti, i cili gjatë mandatit të tij ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për antarësim, nuk do të jetë pjesëmarrës.
Në panelin “Gati për 2030? Përshpejtimi i anëtarësimit të Ballkanit në BE”, do të jenë kryeministri i Shëqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Të tjerë emra të rëndësishëm në këtë panel diskutimi janë komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos dhe presidentja e Partlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Ky panel diskutimi do të zhvillohet të dielen nga ora 10:30.
Zakonisht, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, organizata të ndryshme organizojnë “side events” apo ngjarje në margjina të këtij forumi.
Nuk dihet ende nëse Kurti me Gërvallen do të marrin pjesë, së paku, në diskutimet gjatë ngjarjeve të tjera që organizohen në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih.