Li Qiang, aleat i presidentit Jinping, zgjidhet kryeministër i Kinës - NACIONALE

Li Qiang, aleat i presidentit Jinping, zgjidhet kryeministër i Kinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politikani i nominuar nga presidenti Xi Jinping për kryeministër të Kinës, Li Qiang, është zgjedhur formalisht në këtë pozitë nga deputetët kinezë.

Qiang-u është ish-udhëheqës i Partisë Komuniste në qytetin më të madh kinez, Shanghai. 63-vjeçari mori pothuajse secilën votë nga më shumë se 2 mijë e 900 delegatë të Kongresit Kombëtar Popullor.

Aleat i ngushtë i presidentit Jinping, ai cilësohet si pragmatist dhe do të ngarkohet me detyrën e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit, e cila po ballafaqohet me vështirësi, raporton televizioni BBC.

Në sallë nuk u lejuan gazetarë gjatë votimit, kur votat u hodhën në kuti gjatë një seance të Kuvendit. Kur presidenti Jinping e hodhi votën, në sallë pati duartrokitje.

Qiang-u mori gjithsej 2 mijë e 963 vota. Vetëm tre delegatë votuan kundër tij, ndërsa tetë të tjerë abstenuan.

Ai, pastaj, e bëri betimin, duke u betuar se do të jetë besnik ndaj kushtetutës së Kinës dhe se “do të punojë shumë për të ndërtuar një vend të mrekullueshëm modern socialist, me mirëqenie, të fuqishëm, demokratik dhe të civilizuar”.

Në vitet e para të këtij shekulli, Qiang-u ishte shef i stafit të presidentit Jinping, kur ky ishte udhëheqës i provincës Zhejiang. Më pas, ai ishte emëruar sekretar i partisë në Shanghai më 2017.

Gjatë pandemisë, Qiang-u e kishte mbikëqyrur izolimin e rreptë të qytetit të madh, kur disa banorë kishin vështirësi për të siguruar ushqim e kujdes shëndetësor.

Emërimi i kryeministrit të ri u bë, pasi presidenti Jinping siguroi një mandat të tretë historik në krye të shtetit të premten.

Lajme të ngjashme