Lëndë në Kushtetuese, qëndrojnë në sallë, i ndërhyjnë Deharit: A po i ashpërson veprimet ish-opozita? - NACIONALE

Lëndë në Kushtetuese, qëndrojnë në sallë, i ndërhyjnë Deharit: A po i ashpërson veprimet ish-opozita?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ish-opozita ka filluar të bëhet më e “gjallë” në raport me krizën politike. Në tri përpjekën e fundit për konstituimin e Kuvendit, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-së kanë ashpërsuar gjuhen ndaj kryesuesit të seancës, Avni Dehari, të cilin po e cilësojnë si “mashë” të Albin Kurtit.

Përveç ashpërsimit të kritikes, këto parti kanë filluar të ndërmarrin edhe hapa konkret për të kundërshtuar veprimet e VV-së.

PDK-ja dhe LDK-ja tashmë i janë drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për moszbatim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Në lëndët e tyre këto parti kanë përmbledhur shkeljet kushtetuese të deputetit të VV-së, Avni Dehari, në cilesinë e kryesuesit të seancës në tri seancat e fundit.

Kurse, në përpjekën e 41-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë qëndruar në sallën e kuvendit edhe pas ndërprerjes së seancës nga deputeti Avni Dehari.

Ndonëse sekretaria e Kuvendit nuk ia lëshonte zërimin, shefat e grupeve parlamentare të këtyre partive kanë mbajtur nga një fjalim të shkurtër, duke i kërkuar VV-së të reflektojë dhe të respektojë Kushtetutën dhe zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në seancat e fundit, më aktive është parë edhe bashkëkryesuesja e seancës, deputetja e Sala Jashari.

Ajo edhe dje i ndërhyri kryesuesit Avni Deharit, i cili nuk i lejonte deputetët e ish-opozitës të flasin nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja e PDK-së insistonte që Dehari të respektonte Kushtetutën.

Ju më herët thatë që shumë e rëndësishme Kushtetuta, pse jeni tu e shkelë, shumë e papranueshme, mos e lejoni ju lutem, janë qytetarët në pyetje, jo politika”, ka thënë Jashari.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të qëndrojnë në sallë për të diskutuar për krizën politike.

Sot, qëndruam në sallë. Deputetja Bajrami mbajti dhe fjalë. Kjo fjalë s’mund t’i ndalej siç ju ndal deputetit Zogaj. Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bën Kuvendit partia e parë. Ata le të ikin, ne le të flasim. Sot, ishte hera e 41-të me radhë, që partia e parë nuk arrinë të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës. Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës. Atë rend dite që e kishim dakorduar paraprakisht të gjithë ne bashkë; në takimin e parë institucional”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.

Veprimi i djeshëm i ish opozitës është përshëndetur edhe nga gazetari Adriatik Kelmendi.

Ai ka bërë me dije se një veprim të tillë këto parti është dashur ta ndërmarrin shumë më herët.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kelmendi ka shkruar se deputetët e këtyre partive përfaqësojnë shumicën e deputetëve shqiptarë.

Ky është hap të cilin është dashur ta ndërmarrin që në fillim deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe NSD-së. Bënë mirë. Ata përfaqësojnë shumicën e deputetëve shqiptarë, janë 52, si dhe shumicën e votave shqiptare në Kosovë. Shumica e deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës sot kanë qëndruar në sallë edhe pasi që një koleg i tyre deputet e mbylli seancën. Shumica e shqiptarëve të Kosovës, si dhe shumica e komuniteteve pakicë, dëshirojnë që Kosova të ketë Kuvend”, ka shkruar ai, duke shtuar se me qëndrimin në sallë deputetët e ish-opozitës treguan se janë për konstituim të Kuvendit.

Ata treguan se duan të votojnë. Ata treguan se duan ta konstituojnë Kuvendin. Ata treguan se nuk lejojnë që një person, si rastësori Avni, t’ua përcaktojë mënyrën se si votohet, por jo se nuk duan të votojnë. 48 deputetë të tjerë shqiptarë dhe disa të komuniteteve pakicë e lëshuan Kuvendin. Pa votuar për kryesinë e Kuvendit. Ata e kanë më të rëndësishme formën e votimit, sesa vetë funksionalizimin e Kuvendit të shtetit. Po ndahet shapi prej sheqerit”, ka shkruar Kelmendi.

Lajme të ngjashme