Lekaj: MINT është ministri e paaftësisë
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të Ministres të Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në debatin e sotëm parlamentar, ku po diskutohet për punën e kësaj ministrie, Lekaj ka thënë se gjatë kësaj kohe kjo ministri nuk ka bërë asgjë.
Për këtë, ka thënë ai, qytetarët dhe spektri politik janë pajtuar që këtë ministri ta quajnë ministri të paaftësisë.
“Ne si spektër politik dhe qytetarët jemi pajtuar që emri i Ministrisë suaj e ka emrin ministria e paaftësisë. A e keni pyetur ndonjëherë veten se kur të largoheni nga kjo pozitë për çfarë do të mbaheni mend?”, ka thënë Lekaj.
Deputeti i AAK-së ka thënë se kjo ministri nuk ka ndërmarr asnjë veprim për t`i ndihmuar qytetarët gjatë krizës ekonomike.
“Nuk keni qenë në gjendje të merrni vendime të zbusni sadopak krizën që e ka kapluar Kosovën në këto dy vite. Askund nuk u pa ndihma e shtetit në inspektim drejtësi e ndihmë për qytetarët”, është shprehur Lekaj.