LDK: Vendimi i GJND-së ka dëshmuar legjitimitetin dhe të drejtën e Kosovës për pavarësi
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës ka dëshmuar legjitimitetin dhe të drejtën e Kosovës për pavarësi.
Përmes një njoftimi për medie, LDK-ja ka bërë me dije se ky gjykim i veri vulën finale drejtësisë dhe i hapi rrugë Kosovës.
“Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Në atë kohë, Kosova bëri bashkë njerëzit më të mirë e më të aftë të saj në bashkëveprim me miqtë strategjik, duke e përfaqësuar e mbështetur Kosovën denjësisht në këtë proces qenësor për vendin. Ky gjykim i drejtë e vendim i shumëpritur i dha vulën finale drejtësisë, dhe i hapi rrugë Kosovës që të vazhdojë kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes shteteve demokratike”, ka vlerësuar LDK-ja.