LDK refuzon ftesën e Kurtit: Nuk e takojmë, ai duhet të raportojë vetëm në Kuvend - NACIONALE

LDK refuzon ftesën e Kurtit: Nuk e takojmë, ai duhet të raportojë vetëm në Kuvend

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka thënë gazetës Nacionale se e ka refuzuar/do ta refuzojë ftesën e kryeministrit Albin Kurti.

LDK në një përgjigje për medie ka thënë se Kurti duhet të raportojë në Kuvendin e Kosovës për çështjen e dialogut.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë edhe qëndrimet e saj. Ky ka qenë dakordimi i liderëve nga takimi paraprak.” – thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zëdhënësja Politike e LDK-së, znj. Sibel Halimi.

“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.” - shtohet më tej në përgjigjen e dhënë nga Halimi.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pranuar ftesën e kryeministrit Kurti për takim.

Por, partia më e madhe opozitare, PDK-, nuk ka dhënë një qëndrim të qartë për këtë çështje.

“... në këtë e-mail nuk është specifikuar tema dhe agjenda e takimit. Pasi të marrim informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit për qëllimin dhe agjendën zyrtare të takimit, kryetari do të vendos se a do të marrë pjesë në këtë takim ose jo,” – thuhej në përgjigjen për gazetarë të Zyrës së Komunikimit të PDK-së.

Kujtojmë se liderët e partive opozitare ishin takuar me emisarin special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai ishte shfaqur se marrëveshja përfundimtare mund të ishte çështje javësh në një intervistë për Kanal10. Ndërkohë, u shpreh se i kishin kërkuar bashkë me vendet e tjera të QUINT-it që të shtynin zbatimin e vendimit për targat RKS për 10 muaj.

Qeveria e Kosovës nënkuptueshëm duket se ka mohuar këtë kërkesë, megjithëse përgjigja e dhënë ka qenë e mjegullt.

Lidhja Demokratike e Kosovës deri tash nuk ka pasur një koment në lidhje me draft-statutin e ekspertëve gjermanë të cilën e publikoi më herët gjatë ditës gazeta Nacionale.

Partitë opozitare parlamentare kanë qenë vazhdimisht kritike ndaj kryeministrit Kurti në lidhje me mos-transparencën e tij për çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Lajme të ngjashme