LDK: Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria po përfundon në përplasje me Perëndimin
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër.
Përmes një komunikate për medie, të cilën e ka shpërndarë edhe Lumir Abdixhiku, kjo parti shprehet e shqetësuar për raportet e Kosovës me SHBA-të dhe vendet perëndimore.
LDK-ja ka vlerësuar se qasja Qeverisë Kurti e ka vënë shtetin e Kosovës në përplasje të hapur me aleatët e mëdhenj.
“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj” është thënë në komunikatë.
Në këtë mënyrë, sipas LDK-së, Qeveria po bije në grackën e Serbisë.
“Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, ka vlerësuar LDK-ja.
Kjo parti ka bërë me dije se të gjitha arritje historike të Kosovës janë bërë të munduara vetëm në koordinim me aleatët.
“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”, ka vlerësuar LDK-ja.