LDK: Krerët e shteti vetëm sa s’i futën duart në zjarr për Berishën, shkarkimi është i domosdoshëm edhe pse i vonshëm
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se krerët e shtetit vetëm sa s’i futën duart në zjarr kur u publikua skandali i ambasadorit të Kosovës në Kroaci.
E sot pas raportimit të Nacionales se AKK ka ngritur kallëzim penal ndaj, LDK-ja kërkoi shkarkimin e tij, edhe pse sipas partisë, është i vonshëm.
Më poshtë gjeni reagimin e LDK-së pas kallëzimit penal ndaj Martin Berishaj:
Pas publikimit të parë të skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte kërkuar urgjentisht shkarkimin e tij. Por, fatkeqësisht ishin krerët më të lartë të shtetit tonë, që vrapuan ta veshnin këtë të fundit me imunitet qeveritar. Vetëm sa nuk "i vuan duart në zjarr për Berishajn" dhe kësisoj e veshën me 'parzmoren shtetërore'.
Ndërkohë që sot, Agjensioni Anti-Korrupsion i Kosovës, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit në fjalë, për mosdeklarim të pasurisë - përkatësisht mosdeklarim të dy bizneseve të tij në Kosovë. Njeriu i besueshëm i pushtetarëve, nuk paska bërë as minimumin e nevojshëm për të garantuar ‘pastërtinë’ e figurës së tij, duke dëmtuar kësisoj edhe imazhin e Republikës sonë. Ky rast, duhet të jetë një mësim i vlefshëm, se si relacionet personale nuk duhet të jenë mbi interesat e vendit. Andaj, shkarkimi është i domosdoshëm, edhe pse i vonshëm!