LDK-ja para vendimit të madh: Si do t’i përgjigjen Kurtit? - NACIONALE

LDK-ja para vendimit të madh: Si do t’i përgjigjen Kurtit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që shumë shpejt të kthejë përgjigje në letrën që ua dërgoi kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Pasi i quajti “hajvanë”, “Lodhja Dokrratike” e “Lydykyhi”, Kurti i ka zbutur dukshëm tonet, në letrën të cilën dje e publikoi gazeta Nacionale.

Aty, Kurti i bën lutje Lumir Abdixhikut për koalicion e bashkëpunim.

Shumëkush e ka quajtur si një letër që e vendos LDK-në para një situate të vështirë, duke hamendësuar se mund të ketë zyrtarë të partisë që edhe e mbështesin koalicion me VV-në. E në anën tjetër, ka të tjerë që janë radikalisht kundër.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje u përgjigj shkurt se “qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”.

Por, nënkryetari Gazmend Muhaxheri, dje la të kuptohet se mund të ketë edhe një mbledhje të Kryesisë së partisë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxeri, ka thënë në “Pressing” të T7 se do të mblidhet kryesia e LDK-së.

“Mua më përngjajke letra sikur kur i drejtohej profes së nderuar Isa Mustafës. Atëherë ishte një shpresë që mund të behej diçka e të mësonin diçka prej nesh këta, por gjatë qeverisjes 51 ditësh që u pa që këta nuk e kanë një njet me qeverisë për interesa të vendit, por interesa të veta”, ka thënë Muhaxheri

Duke parë se Kurti ka bërë të ditur se nuk shkon në koalicion me PDK-në e as këta të fundit me VV-në, letra mund të sjellë shumë ndryshime në situatën politike. Madje, analistë të ndryshëm kanë thënë se një përgjigje negative e LDK-së, e çon vendin drejt zgjedhjeve.

“Pse të mos e bëjmë?”, ishte fjalia e Kurtit në letër, ku u lëshua në kërkesë të hapur te Lidhja Demokratike të Kosovës.

Me fjali diku përkdhelëse si “unë nuk kam pasur problem me ju” dhe diku fyerëse si “LDK njihet si parti që nuk hezon për koalicione” – Kurti dhe partia e vet tashmë sytë i drejtuan kah kjo parti.

Nga Vetëvendosje veçse ka nisur avalanshi i kërkesave ndaj LDK-së: “Reflektoni”, ishte fjalia që u hodh më së shumti në deklarime publike.

Prej tyre si Haxhi Avdyli me fjalët: “Refuzimi është rrugë pa krye”; Armend Muja: “Uroj të reflektojnë dhe pranojnë” e Mefail Bajqinobci me ‘selfie’ rrugëve “reflekto, jo për ne, por për Kosovën”.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka kthyer LDK-në dhe Lumir Abdixhikun, në lokacion të shpeshtë për të dërguar ftesa.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe nisja e procedurave për konstituimin e Kuvendit, tri janë letrat që Kurti i dërgoi në LDK.

Të parën ia dërgoi Abdixhikut për t’u konsultuar për Kuvendin, të dytën ia dërgoi Abdixhikut dhe Memli Krasniqit për temën e njëjtë, dhe në të tretën, Kurti u lëshua totalisht me lutje për marrëveshje.

Lajme të ngjashme