LDK-ja kërkon dorëheqjen e Kurtit e pastaj shpalljen e zgjedhjeve
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj takimit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, me kryeministrin Albin Kurti, i cili ka ndodhur mbrëmë.
Përmes një komunikate për medie, kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e kryeministri Albin Kurti e pastaj shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Në këtë mënyrë, LDK-ja është pozicionuar kundër propozimit të PDK-së për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
“Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, është thënë në komunikatë.
LDK-ja ka ftuar të gjitha palët që të punojnë për dorëheqjen e Kurtit.,
“LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, është thënë në komunikatë.
Në këtë komunikatë, partia e Lumir Abdixhikut ka thënë se refuzon farsën e darkave nga kryeministri.
“Pas tri vite e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tri vite e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin. LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë”, thuhet në komunikatë.
Më tej, kjo parti ka bërë thirrje për një unitet të partive të profilit të djathtë.
“Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Çka thanë Krasniqi e Kurti?
Pas takimit të mbrëmshëm, Albin Kurti dhe Memli Krasniqi janë shprehur pro zgjedhjeve të reja. Ndonëse nuk kanë përmendur ndonjë datë, ata kanë bërë me dije se mendimin e tyre duhet ta japin edhe LDK-ja dhe AAK-ja, parti këto që e kanë refuzuar takimin me Kurtin.
Pas takimit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e reja janë çështje muajsh.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër”, ka thënë Kurti, duke shtuar se për këtë çështje nuk dëshiron ta imponon vullnetin e tij.
“Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti për zgjedhje”, është shprehur Kurti.
Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e reja janë nevojë.
“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se edhe Kuvendi i Kosovës është bllokuar.
“Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë kryetari i PDK-së.