LDK-ja dorëzon sot kallëzim penal për punësimet masive të VV-së në KEK - NACIONALE

LDK-ja dorëzon sot kallëzim penal për punësimet masive të VV-së në KEK

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Punësimet masive të aktivistëve të VV-së në KEK, kanë bërë që për këtë fundit të dorëzohet kallëizm penal nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK-ja pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj KEK-ut do të japë detaje tjera në një konferencë për media, sot në ora 14:00,

Ky kallëzim penal po vjen si rezultat i punësimeve masive të njerëzve të VV-së: miq, struktura partiake e familjarë.

Vatra e punësimeve politike, KEK-u, së fundmi ka hapur një konkurs të ri, ku ngjashëm si qeveritë paraprake, edhe kjo e Kurtit nuk e ka lëshuar mundësinë t’i pranojë në punë njerëzit e vet.

Një ndër të punësuarit, Florent Berisha, është mik shpie i Halil Thaçit – deputet dhe kandidat për kryetar të Obiliqit nga Vetëvendosje.

Rrogë të KEK-ut do të marrë edhe vëllai i shefit të VV-së në Kuvendin e Obiliqit – Sami Ahmetit. Pos tij, me punë të shtetit është shpërblyer edhe Ermal Berisha – shef i shtabit zgjedhor në zgjedhjet lokale.

E pas figurave me rëndësi në Obiliq, radha ju ka ardhur edhe aktivistëve të VV-së: Bujar Mehmeti, Samir Mjekiqi, Florim Terholli, Egzon Zhegrova, Besart Mehani, Valon Svirca e Sabri Elshani.

Se VV-ja këto punësime i kishte planifikur para zgjedhjeve, e konfirmon edhe kryefamiljar i njërit nga aplikantët e konkursit. Djali i tij, fatmirësisht apo fatkeqësisht, doli të jetë vetëm votues i VV-së, e kjo duket se s’e plotëson kriterin për punësim.

Kryefamiljari që deshi të mbetet anonim, ndoshta me shpresën se i vije radha për shpërblim, tha për Nacionalen se VV-ja i kishte premtuar se do t’ia punësonte të birin nëse kokrrën do t’ia jepte VV-së.

Këtë premtim ia kishte bërë vetë Halil Thaci i cili kandidoi për të parin e Komunës në Obiliq.

“Halil Thaçi bashkë më disa persona tjerë të VV-së, nga Obiliqi, dy-tri ditë para zgjedhjeve më kanë ftuar në takim në një kafiteri të Obiliqit. Meqë jemi qytet i vogël, ne njihemi dhe ata e kanë ditur që djalin e kam pa punë, më kanë premtuar që do ta punësojnë në KEK, në këmbim të votave familjes sime. Mirëpo kjo nuk ndodhi edhe pse e kemi votuar të gjithë. Pas zgjedhjeve as s’ma ka çel telefonin”, tha kryefamiljari për gazetën Nacionale.

A R S Y E T I M E T e deritashme

E para që foli për këtë rast ishte hiç më pak se ministrja e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu. Pra, mu ajo politikane që ka pushtetin për t’i ndjekur këto raste të neveritshme. Por, ajo që tha ministrja është një shfajësim në formë kundër-sulmi.

“Duke pasur parasysh sulmet në vazhdimësi ndaj qeverisë tonë mund të pritet që këto të jenë akuza të pabaza dhe të padrejta. Por, unë e përshëndes nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për faktin se secili pretendim, pavarësisht qëllimit që ka, duhet të mbyllet”, u shpreh ajo.

Pra, me fjalë të tjera, znj. Haxhiu po thotë atë që thonin edhe zyrtarët e AAK-së e PDK-së e LDK-së kur pas akuzave për punësime familjare shpreheshin “shkoni në Prokurori”.

Përnjëmend a?

Sulm ndaj medieve dhe shfajësim bëri edhe ish-këshilltari i Agim Bahtirit dhe ish-kandidati për deputet, Avni Zogiani.

“A kanë gabime strukturat udhëheqëse të korporatës?!

Po! Duhej shumë më shumë vëmendje rreth Komisionit te Punësimeve, të cilët po ashtu nuk kanë ndonjë lidhje me VV edhe përkunder faktit se nga media dhe opozita po provohet të shiten si funksionarë të rëndësishëm të subjektit”, tha ndër tjerash ai.

Pra, shfajësohu dhe mëshoju medieve.

Një tjetër shfajësim u bë edhe nga deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi.

“Me sa shoh, Prokuroria Themelore ka filluar hetimet dhe të presim punën e saj. Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen. Më herët ka ndodhur një diferencim 20 vjeçar të cilët nuk janë pajtuar me menaxhimin të ndërmarrjeve publike”, tha ai.

Diferencim 20 vjeçar? Në fakt, Vetëvendosje është themeluar në vitin 2005 dhe diferencimi në fjalë as teknikisht nuk ishte i mundshëm. Përveç kësaj, nuk ka pasur asnjëherë ankesa, madje as nga vetë aktivistët e partisë së Kurtit se dikush po i diskriminonte për shkak të angazhimit politik. Diskriminimi ndodhte ndaj qytetarëve të rëndomtë. E edhe kjo që bëri VV në KEK dëmton pikërisht qytetarët e rëndomtë, dhe jo anëtarët e ndonjë partie tjetër.

Në anën tjetër, Krenar Shala – një analist që mbështet hapur partinë e Kurtit – u lodh po ashtu për të dhënë arsyetimin nga këndvështrimi i tij.

“Kjo është ndryshimi. Ndryshimi nuk është me qenë pa gabime. Ndryshimi është me u bë e madhe diçka edhe me reagu shteti”, u shpreh z. Shala.

Përveç që ndryshimi është fjalë e gjinisë mashkullore dhe prandaj duhej të niste me “Ky është ndryshimi”, kjo përbën një shkelje flagrante të qëndrimeve të mëhershme. Për më tepër, kjo është e ngjashme me reagimet e bëra nga ana e ish-zyrtarëve të PDK-së që thonin se “gabime janë bërë por është arritur shumë për 20 vjet”.

S P I N I

Gjatë ditës së djeshme, aktivistët e Vetëvendosjes provuan që ta bënin të madhe një intervistë të dhënë nga Kurti për rrjetin televiziv CNN.

Në fakt, ai kishte folur në emisionin “Global Brief” për vetëm 6 minuta duke përsëritur ato fjalë që i kishte thënë edhe në intervista të tjera.

Për më tepër, se kishim të bënim me një përpjekje për të shmangur vëmendjen e publikut nga ky skandal na u bë e qartë kur kuptuam listën e intervistave që kishte dhënë Kurti në disa rrjete televizive përfshirë Sky News dhe BBC.

Për të lexuar më shumë mbi përpjekjen, ju ftojmë të lexoni duke klikuar KËTU.

*Adem Grabovci është shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si PRONTO për diskriminimet në punësim.

Lajme të ngjashme