LB: Moszgjidhja e çështjeve mund të çojë në luftë - NACIONALE

LB: Moszgjidhja e çështjeve mund të çojë në luftë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja për Bashkim ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nuk është dashur të lejojë që situata në veri të vijë deri në pikën aktuale.

Përmes një reagimi, kjo parti ka vlerësuar se jo zgjidhja e çështjeve, por moszgjidhja e tyre mund të çojë në luftë.

Sipas këtij subjekti politik, kryeministri Kurti, duke qenë kundër “shkëmbimit të territoreve” po del hapur kundër zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës e Serbisë.

Qeveria e Kosovës që nga fillimi nuk është dashur të lejojë që të vijë situata deri këtu, por së paku tani duhet ta ketë parasysh se çdo përshkallëzim i saj mund të sjellë deri te rëndimi i mëtutjeshëm i situatës dhe deri te viktima të pafajshme e të panevojshme. Kryeministri Kurti, duke qenë kundër “shkëmbimit të territoreve” që do të duhej të realizohej duke respektuar vullnetin e qytetarëve të cilët jetojnë në vazhdimësi territoriale me shtetin amë, po del hapur kundër vetëvendosjes së kombeve dhe rrjedhimisht edhe kundër zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës e Serbisë. Kjo politikë e tij mbart në vete rrezikun e përhershëm të një konflikti të armatosur, që nuk i duhet askujt. Për më tepër kjo politikë vazhdon të injorojë çështjen e Kosovës Lindore, e që e vendos vetë Kosovën në pozitë të pafavorshme dhe shqiptarët në Kosovën Lindore i lë nën mëshirën e Serbisë”, është thënë në reagimin e LB-së.

Lëvizja që drejtohet nga Valon Murati ka kritikuar edhe subjektet opozitare për qasjen ndaj veriut të vendit.

Edhe thirrjet e opozitës për intervenim në veri janë dashakeqe dhe të dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj. Këto përpjekje të opozitës janë nxitje e qeverisë për ta thelluar gabimin, në ndërkohë që gabimet e mëtutjeshme nuk do të rëndonin vetëm mbi qeverinë, por mbi krejt Kosovën. Çështja e veriut të Kosovës është ekskluzivisht çështje politike dhe zgjidhet vetëm me mjete politike. Çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje me mjete policore apo ushtarake, nga cilado anë qoftë, do të sjellë gjendje edhe më të rëndë, e me pasoja edhe më të mëdha”, është thënë ne reagim.

Sipas këtij subjekti politik, Kosova duhet të tregohet e kujdesshme me çështjen e barrikadave.

Kushdo që tenton ta përdorë forcën në veri duhet ta ketë parasysh se në mënyrë automatike e aktivizon forcën ushtarake të KFOR-it, si forca e vetme e thirrur për çështjen e paqes dhe sigurisë në atë pjesë të Kosovës. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë dhe t’i acarojë raportet me faktorët ndërkombëtarë (SHBA e BE), e posaçërisht në këto rrethana me KFOR-in. Acarimi i raporteve të Kosovës me forcat e KFOR-it, apo të NATO-s në asnjë rast nuk janë në interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.”, përfundon reagimi LB-së.

Lajme të ngjashme