Latifi na ligjëron për një “çmenduri shqiptare”, por prapë e “sakaton” gjuhën shqipe
Profesori i filozofisë dhe analisti i njohur politik, Blerim Latifi, ka shkruar për atë që e ka quajtur “çmenduri shqiptare”, por vetë e ka “sakatuar” gjuhën shqipe, duke i shkruar gabimisht disa folje.
Latifi i ka komentuar raportimet e djeshme për planifikim të mundshëm të atentatit ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai e ka kritikuar atë që e quajti “lehtësi me të cilën shqiptarët nxjerrin nga goja e tyre të shame nga më morbidet dhe kërcënime të hapura ndaj atyre me të cilët kanë mospajtime të natyrave të ndryshme”.
Ai i ka quajtur shqiptarë të marrë ata që flasin për lista të njerëzve që do të donin t’i shihnin të vdekur dhe ka pretenduar se shërbimet perëndimore të inteligjencës alarmohen, kur dëgjojnë biseda të tilla.
Sipas Latifit, bisedat e tilla janë normale në shoqëri jonormale ose, siç ka shkruar ai, në shoqëri “abnormale”.
Megjithatë, Blerim Latifi përsëri na tregoi – pa dashje, natyrisht – se nuk e njeh mirë gjuhën e shkruar shqipe. Ai i ka shkruar gabimisht foljet “paragjykoj”, “rikujtoj” e “ndodh”.
Përpos këtyre gabimeve, profesori i njohur i ka shkruar gabimisht edhe fjalët “kushedi”, “të shara”, “lista njerëzish” si dhe e ka përdorur pa nevojë fjalën e gjuhës angleze, “abnormal”.
Latifi e ndryshoi disa herë shkrimin në "Facebook", por përmirësoi vetëm një gabim, atë te folja "paragjykoj".
Kjo nuk është hera e parë që Latifi bën gabime të rënda gjuhësore. Muajin e kaluar, ai bëri disa gabime elementare në një shkrim që e publikoi në rrjetin social, “Facebook”.
