Shpërthime të fuqishme në Veri të Mitrovicës
Në minutat e parë të ditës së sotme, 18 prill 2022, kanë ndodhur të paktën tri shpërthime të fuqishme në komunën e Mitrovicës.
Për këto shpërthime kanë raportuar së pari banorët shqiptarë nga veriu por edhe nga jugu i qytetit të ndarë.
Informacionet zyrtare - edhe në këtë moment raportimi (ora 1:03) - janë munguese.
Nacionale ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, z. Daut Hoxha, dhe sapo të marrë ndonjë informacion prej tij ky artikull do të përditësohet në pjesën e mëposhtme.
Shpërthimet në fjalë kanë ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ka rrëfyer për gazetën Nacionale një qytetar pikërisht nga ajo pjesë. Kjo lagje është e banuar me shumicë shqiptare.
Tashmë, Policia e Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe po merret me rastin.
Kujtojmë që ditët e fundit ka pasur sulme të vazhdueshme nga grupe të ndryshme nga Serbia ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
PËRDITËSIM:
Nga kontaktet e gazetës Nacionale me Policinë në Mitrovicë, është bërë me dije se këto shpërthime kanë qenë nga mjete piroteknike dhe se nuk ka hapësirë për të t’u shqetësuar.
Megjithatë, banorët ende janë nën frikë dhe kanë dyshime se këto shpërthime mund të jenë edhe të një soji tjetër.