LAJMI I FUNDIT: QKUK jep detaje për gjendjen e policit të plagosur në veri
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë dhënë detaje për Nacionalen rreth gjendjes së policit që u plagos mbrëmë gjatë një aksioni të armatosur në veriun e Mitrovicës.
Sipas QKUK-së, polici i plagosur në QKUK ka mbërritur sot rreth orës 8:30.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se sot rreth orës 8:30, një pjesëtar i Policisë së Kosovës i lënduar mbrëmë është pranuar në Qendrën Emergjente, pasi kishte marr trajtimin e nevojshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Ekipi i Klinikës Emergjente bashkë me mjekët konsultantë nga klinikat përkatëse kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe rasti, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetë. Pacienti është pranuar për trajtim të mëtejmë në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Torakale”, kanë deklaruar nga QKUK.
Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
E të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.
Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet tranferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.
"Mbrëmë ka ardhë polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në kraharor- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë për intervenim. Përndryshe gjendja e tij është e mirë- stabile"- i tha Nacionales drejtoresha e spitalit.
Ndërkohë, kujtojmë se Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se njësitë që ishin në detyrë, “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM".