Lajçak pas takimeve në Prishtinë e Beograd: Shpresuam për më shumë rezultate
Emisari special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar në Facebook për takimet që pati në Kosovë e Serbi si tentim për të gjetur një zgjidhje për de-përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës. Lajçak ka thënë se ka pritur më shumë rezultatet nga vizita e tij bashkë me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar.
I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak ka dalë më një shkrim ku ka përmbledhur aktivitetin e tij gjatë ditëve të fundit në kuadër të shtensionimit të situatës në veri të vendit.
Ai fillimisht ka treguar për vizitën në Kosovë, duke thënë se u bë për të gjetur një zgjidhje politike për veriun.
“Pas disa ditësh në rrugë jam kthyer në Brukselin me diell. Këtë javë, vizitova Prishtinën dhe Beogradin së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së dhe të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Gabriel Escobar. Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike.” – ka shkruar ai fillimisht.
Më pas, Lajçak ka folur për takimet që ka pasur në Kosovë dhe kërkesën urgjente për de-eskalim të situatës në veri dhe kushtet e tjera të paraqitura ndaj palës kosovare.
Ai ka bërë të ditur edhe bisedën që ka pasur me liderët opozitarë të Kosovës.
“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”.
“Ne kontaktuam edhe liderët e opozitës shqiptare të Kosovës, duke shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmin që ajo shkakton në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre mbështetjen e tyre për një zgjidhje politike për të zbutur tensionet.” – ka shkruar Lajçak në Facebook.
Më tej, ai ka folur edhe për takimin me përfaqësuesit e Listës Serbe.
“Pasi që asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet pa përfshirë popullatën e prekur, Escobar dhe unë u takuam me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, për të dëgjuar prej tyre dhe për të shpjeguar pse është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.” – ka theksuar Lajçak.
Lajçak ka bërë të ditur se ka shpresuar që misioni i tyre të sjellë rezultate më shumë, mirëpo sipas tij, nuk ka pasur dhe tensionet vazhdojnë të jenë të larta.
“Escobar dhe unë kemi shpresuar për më shumë si rezultat i misionit tonë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta.” – ka nënvizuar ai.
Ndër të tjera, Lajçak ka bërë të ditur që do të raportojë para shteteve anëtarë të BE-së për situatën në Kosovë.
Ndërkohë, situatë në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë por e tensionuar.



